Lajme
Hoti kritika për Qeverinë që nuk ndau asnjë cent për familjet e prekura nga vërshimet
Demokracia
16:47 | 25 Janar 2023

Share:

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pse në mbledhjen e mbajtur të mërkurën nuk është bërë ndarja e ndonjë mjeti financiar për familjet e prekura nga vërshimet.

Hoti, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’ ka bërë thirrje që para se të bëhet vlerësimi i detajuar i dëmeve, Qeveria të ndajë gjëra elementare për familjet e prekura, shkruan Demokracia.com.

“Shumë vendime qenkan marrë në mbledhjen e Qeverisë sot, por asnjë cent nuk qenka ndarë për kompensimin e familjeve që pësuan nga vërshimet në Skënderaj, Klinë, Istog, Mitrovicë e komuna të tjera. Rezerva shtetërore është për situata kur ndodhin shpenzime të paparashikuara”, deklaroi deputeti i LDK-së.

“Ftoj Qeverinë tu ndajë këtyre familjeve menjëherë një shumë fikse për gjërat elementare të jetës: shporet, frigorifer, shtrat, tepihë dhe ushqime bazike. Disa familje kanë humbur edhe rrobat e trupit. Ka familje me të moshuar e fëmijë shumë të vegjël, të cilët nuk mund të kthehen në shtëpitë e vërshuara pa u meremetuar plotësisht. Asnjë meremetim nuk mund të bëhet në këto kushte atmosferike”, vijon ai.

“Ka kohë për vlerësim të detajuar të dëmeve, si në ekonomitë shtëpiake, ashtu edhe në biznese e bujqësi”, përfundon Hoti. /Demokracia.com/

Të ngjashme