Kuriozitete
Historia si në filma e shqiptarit në Greqi, ishte dënuar me burg përjetë për vrasjen e partneres por papritur gjendet autori i vërtetë
Demokracia
08:49 | 02 Nëntor 2023

Share:

Shqiptari Jani Zoto, i dënuar me burgim të përjetshëm për një krim të ndodhur 9 vite më parë, është shpallur i pafajshëm.

54-vjeçari Zoto akuzohej si autor i vrasjes së bujshme të 43-vjeçares Aciu Flopjca-Aurica, nga Rumania, nënë e 3 fëmijëve të mitur, e ndodhur në ishullin Kos të Greqisë, me të cilën bashkëjetonte prej vitesh.

Ngjarja kishte shkaktuar bujë e indinjim të opinionit publik pasi 43-vjeçarja u gjet e zhveshur në vaskë me shumë goditje me thikë në barkë, organet gjenitale dhe qafë. Sipas fqinjëve në orën 13:00 të 14 prillit 2014 dëgjuan klithma për ndihmë, ndërsa në 13:30, 54-vjeçari shqiptar doli i tmerruar nga shtëpia duke kërkuar ndihmë për gruan e therur barbarisht.

Megjithëse asnjëherë nuk kishte prova të mjaftueshme për fajësinë e shqiptarit, Jani Zoto u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim. Vetëm në prill të vitit 2023 në Gjykatën e Apelit policë grekë kishin dëshmuar për pafajësinë e shqiptarit që buronte si nga ADN i paidentifikuar në thikën dhe trupin e viktimës ashtu dhe nga fakti se 54-vjeçari kishte vetëm 5 minuta që ishte kthyer nga puna, kohë e pamjaftueshme për krimin.

Jani Zoto doli nga burgu në Prill 2023 me të drejtë kryerje dënimi në shtëpi, pa u lejuar të dalë nga Greqia. Në korrik të po këtij viti, pas një grabitje në një dyqan në Gjermani u arrestua një pakistanez, i cili dëshmoi se është vrasësi i 43-vjeçares, fakt që u konfirmua dhe nga ADN e gjetur në vendin e krimit. Mësohet se pakistanezi në 2014-ën banonte në të njëjtin pallat me çiftin. Thuajse një dekadë më pas 54-vjeçari shqiptar fiton pafajësinë e tij, jo nga provat e patundshme të pafajësisë, po falë drejtësisë gjermane që ka mundur të zbërthejë kriminelin pakistanez.

I pyetur nga Protothema, Jsni Zoto u shpreh: “Në fund të fundit ka një Zot. Zoti pati mëshirë për mua dhe më ndihmoi të zbulohej e vërteta. Tani mund të them se ndihem i shfajësuar pas shumë vuajtjeve. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë menduan se e vrava dhe më futën në burg padrejtësisht”.

Ndërsa për vitet që kaloi pas hekurave shtoi: “Tre vite të jetës sime i kalova përsëri në burg kur isha i pafajshëm dhe bërtisja por askush nuk më dëgjonte. Ishin vitet më të vështira të jetës sime. Nuk ka gjë më mizore se të “pagëzohesh” vrasës pa kryer asnjë krim. Ndjeva se po më shkatërrohej nderi dhe dinjiteti dhe nuk mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi u mërzitën kur dëgjuan se babai i tyre ishte një vrasës”

Të ngjashme