Lajme
Hill: Dialogu është në vazhdim e sipër
Demokracia
09:48 | 16 Gusht 2023

Share:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka komentuar shkurt vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë. Ai ka thënë se qëndrimi i SHBA mbetet i pandryshuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe se dialogu po vazhdon.

Christopher Hill është pyetur të komentojë vizitën e Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut, si dhe nëse ajo kërcënon dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton televizioni serb RTS.

“Unë do ta lë në imagjinatën tuaj se çfarë mund të mendoni për atë ngjarje në Tetovë ose të pyesni dikë tjetër”, ka thënë Hill për ngjarjen në Tetovë, transmeton Paparaci.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të administratës amerikane për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hill tha se qëndrimi i SHBA është i njohur dhe mbetet i pandryshuar.

“Të gjitha këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut të Brukselit, sepse ai është një mjet për të zgjidhur të gjitha problemet që janë shfaqur. Natyrisht, të gjithë do të dëshironin që ajo të zgjidhet sa më shpejt dhe të mos vonohet, por mbetet që kjo të bëhet përmes dialogut i cili është në vazhdim e sipër dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në javët në vijim”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd

Të ngjashme