Lajme
Heshtja dyjavore e Komandantes Supreme | Osmani s’ka guxim as të flasë para Kurtit për përjashtimin e FSK-së nga Defender Europe ’23
Demokracia
14:41 | 12 Qershor 2023

Share:

Po bëhen gati dy javë që Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake e NATO-s “Defender Europe” dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Ajo edhe sot kur u pyet nga gazetarët, u largua duke mos e thënë asnjë fjalë, shkruan Demokracia.com.

Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk pati guxim para kryeministrit Kurti as të flasë për goditjen më të rëndë që ushtria ka marrë nga aleati kryesor i saj, duke u përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake që FSK-ja do të merrte pjesë.

Ndryshe nga Osmani, kryeministri Kurti përjashtimin e Kosovës nga kjo stërvitje e kishte cilësuar si katastrofale për Kosovën.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai kishte thënë se kjo nuk është e drejtë.

“Çfarë kemi parë është suspendimi nga ushtrimi ‘Defender Europe 23’ dhe ne kemi qenë duke u përgatitur qe dy vjet për këtë. Është fatkeqësi. Nuk mendoj se është e drejtë, por kush jam unë të vendosi. Përsëri, më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë”, ka thënë Kurti.

Para se të përjashtohej Kosova, presidentja Osmani këtë stërvitje ushtarake e kishte vlerësuar lart.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj stërvitjeve ushtarake të NATO-s, më 21 maj, presidentja Osmani këtë stërvitje e kishin cilësuar si shumë të rëndësishme për Kosovën.

Madje, sipas saj, kjo ishte një stërvitje historike për Kosovën dhe FSK-në.

“Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërsisë tonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndroi vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti e bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e paqësore.”, kishte thënë Osmani.

Ushtrimi fushor “Defender Europe” është prej ushtrimeve më të rëndësishme që ka marrë pjesë Kosova. Në këtë ushtrim, i cili drejtohet nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, marrin pjesë ushtritë më të fuqishme të botës.

Për herë të parë në këtë ushtrim Kosova kishte marrë pjesë në vitin 2021.

Pjesëmarrja ishte planifikuar edhe këtë vit, ku mbi 1 mijë e 300 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kishin treguar profesionalizëm për të marrë pjesë në “Defender Europe 23”.

Veprimet e njëanshme të Kosovës në veri, të cilat çuan në rritjen e tensioneve atje, kanë bërë që SHBA-ja të marrë vendim për përjashtimin e Kosovës nga kjo stërvitje ushtarake. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Pasojat e para, amerikanët anulojnë aktivitetin që FSK e kishte pritur me vite

Të ngjashme