Lajme
Haxhiu vs. ‘deputetët myslimanë’ të VV-së| A do të dështojë sërish votimi i Projekt-Kodit Civil?
Demokracia
14:03 | 09 Shtator 2023

Share:

Dy ditë më parë, Albulena Haxhiu, ministre e Ministrisë së Drejtësisë, e dha një qëndrim në lidhje me projekt-kodin civil, nismë e cila e ka përçarë grupin parlamentar të VV-së. Në intervistën e gjatë në Context të ATV-së, Haxhiu deklaroi se projekt-kodi civil do të kalojë këtë vit. Kundër kësaj deklarate kanë reaguar deputetët konservatorë të VV-së, të cilët e kanë ritheksuar qëndrimine tyre refuzues ndaj nismës që njeh bashkësitë civile të seksist të njëjtë.

Në intervistën e saj, Haxhiu tregoi se çështja e projekt-kodin civil është folur edhe me deputetët refuzues, duke shtuar se është obligim të votohet në favor të kësaj nisme. Ajo vlerësoi se kurdo që procedohet projekt-kodi civil, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar.

“Megjithatë ne gjatë kësaj kohe kemi qenë në diskutime me Grupin Parlamentar, me deputetët të cilët kanë pasur mendime të ndryshme nga atë që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe, gjegjësisht brenda këtij viti në momentin kur do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar. Përndryshe për Republikën e Kosovës do të ishte e papranueshme sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Unë e kam theksuar, ne presim ekspertët nga Këshilli i Evropës që të vijnë brenda këtij viti në Kosovë për të bërë vlerësimet e tyre në raport me të drejtat e njeriut, prandaj do të ishte lajm pozitiv që të kalojë edhe Kodi Civil.” – ka thënë Haxhiu.

Por pas kësaj deklarate kanë reaguar disa deputetë të VV-së, të cilët rikonfirmuan mosndryshimin e mendimit karshi projekt-kodit civil. Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani e ribotoi një video, ku tregon se nuk ka votë për projekt-kodin civil, duke thënë se nuk ka votë për nismën e Qeverisë Kurti, shkruan Nacionale.

“Nuk kam asnjëherë votë PËR shkatërrimin e familjes, ne do të jemi gjithmonë aktiv në mbrojtjen e saj.

Ky është deklarimi im rreth mundësisë së votimit të kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.” – shkroi Rrahmani në Facebook.

Mendimin e njëjtë e ka edhe deputeti tjetër i VV-së, Gramos Agusholli, i cili e quajti të pavërtetë të madhe deklaratën e ministres Haxhiu se deputetët e VV-së do ta votojnë projekt-kodin civil.

“Po e përsëris hiç nuk e besoj se do të vijë këtë vit Kodi Civil, po edhe nëse vjen në versionin ashtu siç ka qenë, atëherë ai nuk votohet prej meje…Nëse ka thënë Ministrja se deputetët të cilët s’e kanë votuar tash do ta votojnë, atëherë mund të them se ka thënë një të pavërtetë të madhe.” – deklaroi ai për Blic.

Votë kundër ka paralajmëruar edhe deputeti tjetër i VV-së, Visar Korenica.

“Më duhet të reagoj ndaj tekstit të vënë në thonjëza ‘zbutet’ nga kanal10. Kjo s’ka të bëjë fare me atë çfarë kam deklaru. Qëndrimi im është i njejt, dhe sa i përket Kodit Civil nuk kam përgjigje të re në pyetje të vjetër përderisa është përmbajtja e njejtë. Çdo projektligj që vie në Kuvend dhe që nuk është në harmoni me ligjin në fuqi sa i përket martesës nuk do ta ketë përkrahjen time.” – shkroi ai në Facebook.

Ndryshe, votimi i projekt-kodit civil ishte paraparë të ndodhte në qershor të këtij viti.

Të ngjashme