Lajme
Haxhiu i përgjigjet Mujës, i kërkon të tregojë sa milionë të TRUSTI-t i kanë shpenzuar në letra me vlerë
Demokracia
10:19 | 10 Maj 2022

Share:

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, më 9 mars e ka dorëzuar Projektligjin për Trustin.

Haxhiu po vazhdon të insistojë se kjo çështje duhet të marrë drejtim sa më parë, raporton Demokracia.com.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka folur edhe për kritikat e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, duke thënë se çdo ligj trajtohet sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Por, për deputetin e LVV-së, Armend Mujën, një kundërpërgjigje e ka edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

I pyetur nga Demokracia.com, Haxhiu ka thënë se Qeveria Kurti dhe Armend Muja le të përgjigjen para qytetarëve sa milionë euro të TRUSTI-t të qytetarëve i kanë shpenzuar në letra me vlerë.

“Qeveria dhe Armend Muja të përgjigjen para qytetarëve, sa milionë euro para të Trustit të qytetarëve kanë blerë letra me vlerë të Qeverisë? Përse me para të Trustit me ble letra me vlerë të Qeverisë? Trusti është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Nga data 27.04.2022 kur projektligji iu është shpërndarë deputetëve dhe deri më sot, Armend Muja si kryetar i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere është duke e prolonguar trajtimin e Trustit në Komision dhe ta dërgojë raportin me rekomandime për seancën e Kuvendit”, ka thënë deputeti Haxhiu për Demokracia.com.

Ai ka shtuar se me Grupin Parlamentar të PDK-së e kanë proceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend dhe ndryshimi i tij e ka mbështetjen e plotë të PDK-së.

“Unë bashkë me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, me datë 09.03.2022 e kemi proceduar Projektligjin për Trustin në Kuvend dhe ky projektligj e ka mbështetjen e plotë të PDK-së dhe të të gjitha partive opozitare, si dhe të disa deputetëve të mazhorancës. Duke e ditur këtë fakt, pushteti me sojin e Armend Mujës po përpiqen ta vonojnë procedimin e Projektligjit për Trustin në seancë të Kuvendit”, ka thënë ai.

Deputeti Haxhiu ka deklaruar se pushtetit nuk po i bëhet vonë për krizën ekonomike me të cilën po përballen qytetarët.

“Qeveritarëve nuk po ju bëhet vonë për krizën ekonomike me të cilën po përballën qytetarët, nuk iu bëhet vonë për kërkesën e qytetarëve me i tërheq mjetet e tyre nga Trusti. Qeveria Kurti, 30 ditë e ka mbajtur Projektligjin për Trustin për me dhanë një Jo, ndërsa tani e dy javë Armend Muja është duke mos e trajtuar Projektligjin për Trustin në Komision Parlamentar për ta dërguar raportin me rekomandime për seancën e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu për Demokracia.com.

Haxhiu ka thënë se përkundër papërgjegjësisë së pushtetit dhe manipulimeve të individëve të caktuar që nuk e kanë hallin e qytetarëve, Projektligjin për Trustin nuk mund ta prolongojnë më gjatë se deri më 25 maj.

“Unë dua të njoftoj të gjithë qytetarët se përkundër papërgjegjësisë se pushtetit dhe manipulimeve të individëve të caktuar që nuk e kanë hallin e qytetarëve, Projektligjin për Trustin nuk mund ta prolongojnë më gjatë se data 25.05.2022, sepse sipas rregullores një projektligj do të trajtohet në seancën e Kuvendit në lexim të parë jo më larg se 28 ditë nga dita kur iu është shpërndarë deputetëve”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Në fund, deputeti i PDK-së ka shtuar se projektligji u është shpërndarë deputetëve më 27 prill 2022, prandaj dita e 28-të kur më së largu mund ta prolongojnë miratimin e Projektligjit për Trustin është data 25 maj 2022./Demokracia.com/

Të ngjashme