Lajme
Haxhiu e bindur se sivjet do të votohet Kodi Civil, përkundër që disa deputetë të LVV-së janë kundër
Demokracia
13:29 | 07 Shtator 2023

Share:

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se këtë vit do të hidhet sërish për votim Kodi Civil.

Ajo u shpreh optimiste se kësaj radhe ky dokument i rëndësishëm do të kalojë.

Haxhiu tha se do t’i kenë votat edhe të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kishin mendim ndryshe në mes tjerash edhe rreth çështjes së martesës mes gjinive të njëjta.

Ministrja e Drejtësisë shtoi se ky kod është shumë i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe për integrimin në BE, sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Siç jeni në dijeni, Kodi Civil është në agjendën legjislative, është një dokument i rëndësishëm që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të njeriut. Unë nuk mendoj që ka qenë e drejtë që janë marrë vetëm me një nen sepse trajton shumë institute, është thjesht në interes të qytetarëve të Kosovës, prandaj të gjitha partitë politike, mazhoranca e opozita e kanë për obligim që ta mbështesin atë. Megjithatë ne gjatë kësaj kohe kemi qenë në diskutime me Grupin Parlamentar, me deputetët të cilët kanë pasur mendime të ndryshme nga atë që e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje por unë jam optimiste që kësaj radhe, gjegjësisht brenda këtij viti në momentin kur do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend, nuk do të dështojë sikurse herën e kaluar”, tha Haxhiu.

“Përndryshe për Republikën e Kosovës do të ishte e papranueshme sidomos në prag të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Unë e kam theksuar, ne presim ekspertët nga Këshilli i Evropës që të vijnë brenda këtij viti në Kosovë për të bërë vlerësimet e tyre në raport me të drejtat e njeriut, prandaj do të ishte lajm pozitiv që të kalojë edhe Kodi Civil”, ka theksoi ajo.

Të ngjashme