Lajme
Hashim Thaçi i vendosi bazat e marrëveshjes me MCC-në nga e cila Kosova përfiton mbi 236 milionë dollarë
Demokracia
14:31 | 28 Korrik 2022

Share:

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë ratifikuar sot marrëveshjen mes Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarë.

Kjo marrëveshje u realizua pas një pune të madhe të qeverive të kaluara që kur Kosova nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në, shkruan Demokracia.com.

Më 12 shtator të viti 2017, Kosova kishte nënshkruar marrëveshje 49 milionëshe me MCC-në.

Në atë kohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një vizite në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte nënshkruar marrëveshje 49 milionëshe mes Kosovës dhe MCC-së (Sfidën e Mijëvjeçarit).

Thaçi kishte deklaruar se kjo marrëveshje ishte një mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës.

“Ne gjithmonë kemi ditë të mira në Uashington për shkak se Kosova dhe SHBA-të, kanë një miqësi të gjatë dhe të fortë, por sot është një ditë e veçantë, sepse ne po shtojmë edhe një mik në listën e gjatë të miqve në këtë kryeqytet. Ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje me MCC-në dhe po hapim një faqe të re të marrëdhënieve, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Kjo do të ndihmojë Kosovën të themelojë një fondacion, i cili do të investojë gati 50 milionë dollarë në një mënyrë shumë të fokusuar. Këto investime do ta ndihmojnë Qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me forcimin e transparencës qeveritare për qytetarët”, kishte deklaruar Thaçi.

Thaçi kishte falënderuar ish presidenten Jahjaga dhe ish kryeministrin Mustafa për mbështetjen e tyre për MCC-në.

Ndryshe, Kosova i nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në që prej vitit 2010. Në fakt, procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së u udhëhoq deri vonë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015 kishte themeluar Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.

Më 20 prill 2016, Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që u ratifikua sot në Kuvend përqendrohet në projekte të energjisë.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë.

Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë. Përmes baterive synohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Partitë opozitare edhe pse i ofruan mbështetje marrëveshjes, e kritikuan Qeverinë Kurti për “vonesë” e për “mospranim të opsionit të mëhershëm për qasjen në gazsjellës”. /Demokracia.com/ 

 

Të ngjashme