Lajme
Haradinaj: Serbia përpos që i ekzekutoi vëllezërit Bytyqi, po i dekoron kriminelët që dyshohet se i vranë
Demokracia
10:24 | 08 Korrik 2023

Share:

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar vëllezërit Bytyqi, të cilët u vranë 24 vjet më parë.

Haradinaj ka thënë se “shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi”.

Ai ka thënë se s’do të ndalen kurrë në përpjekjet për të çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar.

“Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, iu bashkuan rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet më vendimtare për lirinë e atdheut. Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës u arrestuan nga shteti serb, ku më pas u ekzekutuan. Shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi”, ka thënë Haradinaj.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sërish i kanë bërë thirrje Serbisë që të vërë para drejtësisë ata që kanë kryer vrasjen e vëllezërve Bytyçi, si dhe ata që kanë mbuluar atë krim.

Shtetasit amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u vranë 24 vjet më parë.

“Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe kanë mbuluar këtë akt brutal. Ne do ta vazhdojmë këtë thirrje derisa drejtësia të vihet në vend”, ka shkruar në Twitter zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ambasada amerikane në Serbi theksoi në Twitter se “çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte, është një fyerje për sundimin e ligjit”.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi, pas luftës në Kosovë.

Ata luftuan si pjesë e “Brigadës së Atlantikut” në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës në Kosovë, ndërkaq u arrestuan pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, në kufirin me Kosovën, për kalim ilegal në Serbi.

Pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje prej 15 ditësh, ata u liruan nga burgu, por policia serbe i dërgoi në bazën e Njësive Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Petrovo Sellë, e cila ishte nën komandën e Goran Radosavleviq Gurit.

Radosavleviq hodhi poshtë çdo përgjegjësi për vdekjen e vëllezërve Bytyçi.

Trupat e tyre, me duar të lidhura dhe plagë nga plumbat e shkrepur në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sellë, në Serbinë lindore, së bashku me trupat e tjerë të shqiptarëve të Kosovës.

Në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi Rezolutën për rastin e vrasjes së shtetasve të saj, vëllezërve Bytyçi, në vitin 1999 në Serbi.

Në rezolutë është theksuar se “individët përgjegjës për vrasjet e qytetarëve amerikanë në Serbi, në korrik të vitit 1999, duhet të sillen para drejtësisë” dhe se SHBA-ja duhet “investojnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetuar dhe ndjekur penalisht persona të tillë”.

Të ngjashme