Lajme
Haradinaj: Po të isha në vend të Vjosa Osmanit do ta thërrisja me urgjencë Kurtin
Demokracia
19:18 | 27 Qershor 2023

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se po të ishte në vend të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërriste me urgjencë në një takim Kryeministrin Kurti, pas Tweet-it të sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin, Haradinaj ka deklaruar se ndonëse e kupton situatën, presidentja Osmani tashmë do duhej të kishte një qëndrim lidhur me situatën.

‘Unë e kuptoj që nuk e ka lehtë por situata është e ndjeshme. Unë besoj se presidentja, me aq sa mundet, është mirë me marrë qëndrim. Unë nuk jam njëri prej atyre që them “le të prishet koalicioni”… Nëse e kisha parë dje Tweetin që ka shkruar Blinken, në vend të presidentes do e thirrja me urgjencën në takim Kurtin. I kisha mbyllur  dyert e do i thosha “çka po bëjmë?”. Nuk mundesh pas atij Tweet me diskutuar gjëra tjera”, ka deklaruar Haradinaj.

I pari i AAK-së ka thënë se Kurti mund t’i bëjë një nder Kosovës duke zbatuar tri pikat që i kërkuan ndërkombëtarët.

“Unë mendoj që Kurti mund t’i bëj ende një nder Kosovës, edhe vetes e edhe LVV-së, të marrë guximin e të thotë: Po, i zbatoj tre pikat ose planin evropian, e zbatoj pikë për pikë dhe në këtë kohë…Nga kjo Kosova fiton, me të plan e fuqizon Kosovën sepse nga ai moment jemi palë kontraktuese”, ka deklaruar ai.

Blinken u ka bërë thirrje për ulje të tensioneve të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, si dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama “ndërhyri” me një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ngase e pa se Kosova nuk po i kryente detyrat e saj.

“Edhe lirimi i policëve edhe statuti i Asociacionit janë çështje të Kosovës, është dashur Kosova të jetë e aftë të trajtojë këto tema. Kuptohet kur nuk i përfundon punët e shtëpisë, të hyjnë në shtëpi. Në këtë rast mirë se ai është kryeministri i Shqipërisë, por nuk është vetëm ai. Ne po e shohim vetëm Ramën, por kush ka mbetur pa na dhënë këshilla publike neve? Kosovës për de-përshkallëzim?”, ka deklaruar ai.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar që nga 26 maji, me ardhjen në pozitë të kryetarëve të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.

 

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024