Lajme
Haradinaj pas takimit me Cholletin: Shtrova nevojën urgjente për marrëveshje finale me Serbinë
Demokracia
18:28 | 11 Janar 2023

Share:

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit të mbajtur me delegacionin amerikan të kryesuar nga Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Haradinaj bëri të ditur se në takim shtroi nevojën e arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë që sjell njohjen e ndërsjellë dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“Në një takim përmbajtësor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, z. Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdosshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve”, bën të ditur Haradinaj.

“Njëkohësisht, shtrova nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit”, deklaron tutje kreu i AAK-së.

“Falënderova përfaqësusit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme pa të cilën vështirë se do të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare të paqes”, përfundon njoftimi i tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme