Lajme
Haradinaj: Marrëveshjet veç e veç interes i Serbisë – na duhet marrëveshje përfundimtare
Demokracia
21:46 | 27 Gusht 2022

Share:

Kryetari kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka komentuar dakordimin e sotëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për dokumente e arritur në vitin 2011.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo është shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen.

“Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se është strategji e Serbisë që marrëveshjet të ndodhin një nga një.

“Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën”, ka shtuar ai.

Sipas tij, vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të ndodh marrëveshja finale.

“Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”, ka thënë i pari i AAK-së.

Haradinaj ka potencuar se është koha që Serbia ta njoh Kosovën shtet.

“Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njoh Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme