Lajme
Gruaja që i mbijetoi rrethimit të Sarajevës nga serbët u shkruan letër ukrainasve, lexojeni atë
Demokracia
23:01 | 05 Mars 2022

Share:

BBC botoi një letër nga Aida Çerkez, e cila ndau përvojat e saj me ukrainasit nga Sarajeva e rrethuar, me shpresën se kjo do t’i motivonte më tej ata të mbijetonin në kohët e vështira që po i ekspozohen.

Aida Çerkez ka punuar për Associated Press në Sarajevë që nga viti 1992, fillimisht si prezantuese dhe më pas si reporterë, shkruan Demokracia.com.

Kjo është letra e saj drejtuar ukrainasve.

“Bota e kupton se për çfarë po luftoni”

“Të dashur miq, organizatat humanitare këtu në Sarajevë po mbledhin ndihmë për ju. Unë jam ulur në banesën time duke u përpjekur të kujtoj se çfarë do t’ju nevojitet më shumë.

Jo çorapet e mia të ngrohta, apo xhaketa, apo çizmet e mia të ngrohta nuk janë ato që ju duhen më shumë tani, por bluza ime 30-vjeçare me një slogan të printuar që më mbajti në këmbë për 1425 ditë gjatë së cilës serbët e Bosnjës bombarduan dhe rrethuan qytetin tim. Pa ujë, ushqim, rrymë, ngrohje dhe pa komunikim me botën e jashtme. E vesha atë bluzë dhe lexova mesazhin e shkruar teksa më shumë se dy milionë granata ranë mbi kokat tona dhe ndërsa u shmanga plumbave të panumërt. Në bluzë shkruhet: ‘Sarajeva do të jetë, gjithçka tjetër do të kalojë’.

Ju presin kohë të këqija miqtë e mi, por ju dërgojnë armë që të mbroni veten. Ne boshnjakët u mbrojtëm, por bota na vendosi një embargo armësh. Ata nuk e kuptuan pse lufta po bëhej në Sarajevë. Falë Zotit, ata tash po e kuptojnë çfarë po ndodh në Kiev.

“Gënjeshtrat do t’ju lëndojnë më shumë”

Do të jeni të uritur, të etur, të ftohtë dhe të pistë, do të humbni shtëpitë, miqtë dhe anëtarët e familjes, por ajo që do t’ju lëndojë më shumë do të jenë gënjeshtrat. Gënjeshtra, se ju jeni përgjegjës për atë që ju ndodh. Gënjeshtra, se ju bëni atë që ju duket mirë. Këto gënjeshtra do të bëjnë vrima të panumërta në zemrat tuaja, por pa i ndalur rrahjet e tyre apo pa i ngrirë ato.

Unë shoh se ata shkatërruan kullën tuaj televizive. Ata duan t’ju mbajnë në errësirë, ashtu siç na mbajtën neve në errësirë. Ata duan të fikin dritën, kështu që ne nuk mund të shohim se çfarë po ju bëjnë. Ju regjistroni dhe regjistroni gjithçka. Një ditë do të përcaktojë historinë tuaj, do t’u shpjegojë ukrainasve që nuk kanë lindur ende se çfarë ndodhi dhe me shumë mundësi do të përdoret si provë në gjykatë kundër atyre që përpiqen t’ju vrasin.

“Po ju dërgoj gjënë më të shtrenjtë që kam”

Në kohët e errëta që keni përpara, herë pas here do të humbni shpresën, por unë po ju shkruaj nga e ardhmja dhe po ju them, do të mbijetoni, ashtu siç mbijetuam ne. Duhej të isha e vdekur, por mbijetova, do t’i nxjerr nipërit nesër. Dhe do ta bësh një ditë, sepse unë shoh tek ju të njëjtën rezistencë që pashë këtu.

Unë ju dëgjoj duke kënduar himnin tuaj ndërsa zmbrapsën tanket me duar bosh. Me kalimin e kohës, do të këndoni këngë të reja për guximin tuaj gjatë kësaj sfide dhe do të dilni me sloganin tuaj që do t’ju mbajë gjallë. Tani për tani, po ju dërgoj gjënë më të çmuar që kam, sloganin tim, pak të përshtatur për ju: ‘Ukraina do të jetë, gjithçka tjetër do të kalojë’.

Lavdi Ukrainës”, ka shkruar Çerkez.

Letrën në gjuhën angleze mund ta dëgjon këtu .

 

Të ngjashme