Lajme
GLPS reagon ndaj artikullit të Demokracia.com, por ia huq periudhës kohore
Demokracia
15:04 | 20 Prill 2022

Share:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj artikullit të Demokracia.com me titull “Freedom House publikon “përshkrime” të grupeve të afërta me LVV-në, zëdhënësi i Kurtit i shkruante më herët”.

Ndonëse në artikullin e Demokracia.com theksohet shumë qartë që përshkrimi në të kaluarën është bërë nga Group for Legal and Political Studies (GLPS), organizatë kjo e themeluar nga Fisnik Korenica, balldëska e të cilit është zëvendësministre në Qeverinë Kurti dhe nga Dren Doli, i cili së fundmi është emëruar ambasador në Holandë, GLPS në reagimin e saj pretendon se Demokracia.com i është referuar asaj si autore të raportit të Freedom House për vitin 2022, duke e huqur tërësisht periudhën kohore.

Në artikullin e saj, Demokracia.com i referohet kësaj organizate si përpiluese e raporteve të mëhershme. Madje, si kontribuues i përpilimit të raporteve të kësaj organizate në të kaluarën ishte edhe vetë zëdhënësi aktual i kryeministrit Kurti, Përparim Kryeziu.

Ky është reagimi i plotë i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, i cili njihet për afërsinë që ka me pushtetin e ri:

NJOFTIM PËR PUBLIKUN

Grupi për Studime Jurdike dhe Politike (GLPS), duke i’u referuar një artikulli të publikuar në portalin online Demokracia.com njofton publikun qe do ngrisë padi për shpifje ndaj këtij portali.

Ky artikull i referohet GLPS-së si autor i raportit Freedom House Freedom in the World Kosovo 2022 dhe përmbajtjes së tij, dhe i atribuon organizatës këtë raport si produkt të brendshëm gjë që nuk qëndron.

GLPS është autor krenar i raportit Freedom House Vendet në Tranzicion, raport i cili ende nuk është publikuar dhe do publikohet në javët në vijim.

Duke konsideruar këto, GLPS do padisë portalin në fjalë për një artikull shpifës dhe me qëndrime të rrejshme dhe tendencioze për dëmtimin e reputacionit të organizatës.

Sinqerisht,

Ekipi i GLPS-së

Freedom House publikon “përshkrime” të grupeve të afërta me LVV-në, zëdhënësi i Kurtit i shkruante më herët

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024