Lajme
Gjykatën Speciale e braktis edhe Nikola Giju, gjykatësi i vetëm i procedurës paraprake
Demokracia
11:53 | 15 Dhjetor 2023

Share:

Gjykatën Speciale e ka braktisur edhe gjyqtari i vetëm i deritashëm i procedurës paraprake, Nikola Giju, me autorizimet e të cilit deri më tani janë bërë konfirmimet e aktakuzave, arrestimet dhe bastisjet në Kosovë.

Giju që shpeshherë i dilte në ndihmë edhe prokurorëve në seanca publike kur nuk arrinin t’i artikulonin mirë pretendimet e tyre, duke ua nënkuptuar opinionet, ishte lënë i vetëm nga kryetarja Trendafilova për të shërbyer si gjyqtar i procedurës paraprake.

Njoftimin për largimin e Nikola Giju e ka dhënë vetë Specialja me anë të një komunikate për media.

Arsye e largimit të Gijus është fakti se ai është zgjedhur gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Komunikata e plotë:

Më 5 dhjetor 2023, gjykatësi Nikola Giju i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjykatësi Giju u emërua gjykatës në DHSK më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake çështjet gjyqësore të z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, të z. Salih Mustafa, të z. Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve, të z. Pjetër Shala, si edhe të z. Sabit Januzi dhe z. Ismet Bahtijari. Gjykatësi Giju është caktuar gjithashtu në funksionin e Gjykatësit të Vetëm në çështjen kundër z. Isni Kilaj.

Kryetarja e DHSK-së, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova – e cila gjithashtu ka qenë gjykatëse në GJPN përpara se të emërohej në DHSK – e përgëzoi gjykatësin Giju dhe theksoi se zgjedhja e tij është “pasqyrim i përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Giju në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare, që e ka demonstruar tashmë me dedikimin e tij të jashtëzakonshëm në DHSK, si Gjykatës i Procedurës Paraprake ose Gjykatës i Vetëm në të gjitha çështjet gjyqësore që janë aktualisht para kësaj gjykate”.

Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje.

Të ngjashme