Lajme
Gjykata tregon se a ishte i ligjshëm shkarkimi i Agron Bekës nga pozita e dekanit
Demokracia
16:34 | 16 Shtator 2023

Share:

Gjykata i ka dhënë të drejtë Senatit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” lidhur me vendimin e shtatorit të 2022-ës për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik.

Themelorja në Mitrovicë ka konstatuar se s’ka asnjë shkelje prej Senatit kur ka vendosur shkarkimin e Bekës nga pozita udhëheqëse e njësisë akademike në Universitetin “Isa Boletini”.

Kështu, gjykata më 15 shtator 2023 e ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësit Agron Beka si të pabazuar ndaj Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për anulim të vendimit dhe kompensimin e dëmit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Universiteti ‘’Isa Boletini’’ në Mitrovicë është paditur nga Agron Beka, i cili pretendonte se vendimi i 30 shtatorit 2022 i lëshuar nga Senati i Universitetit ‘’Isa Boletini’’ ishte i kundërligjshëm dhe si i tillë duhet të anulohej. Në padi kërkohej që të detyrohet universiteti që paditësin ta kthejë në pozitën e Dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-ës, dhe të detyrohet e paditura t’ia kompensojë paditësit tërë dëmin e shkaktuar në shumën totale prej mbi 6 mijë euro.

Në aktgjykim e gjykatës së shkallë së parë, palët obligohen që t’i bartin secila veç e veç shpenzimet procedurale.

Aktualisht, paditësi Agron Beka është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga ana e fakulteteve juridike dhe ka qenë Dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Sipas aktgjykimit të gjykatësit Fuad Haliti, paditësi nuk ka arritur qe me asnjë provë materiale të provojë faktin se e paditura vendimin për shkarkimin e paditësit Agron Beka nga pozita e dekanit të Fakultetit Juridik ka vepruar në kundërshtim me Statutin dhe aktet normative të UIBM-ës, siç kishte pretenduar paditësi.

“Gjykata vlerëson se Senati i Universitetit ‘’Isa Boletini’’ në Mitrovicë, ka vepruar komform Statutit të UIBM, me rastin e shkarkimit të paditësit nga pozita e dekanit të Fakultetit Juridik, për arsye se sipas dispozitës së nenit 49 dhe 66, Senati mund të inicojë shkarkimin e Dekanit”, thuhet në aktgjykimin e Themelores në Mitrovicë.

Gjykata ka konstatuar se vendimi Senatit për shkarkimin e një dekani nuk mund të bllokohet nga këshillat e fakulteteve pasi organi më i lartë i universitetit ka përgjegjësi për inicimin dhe marrjen e vendimeve për shkarkimin e dekanëve.

“Gjykata konstaton se edhe sikur të ishte funksional Këshilli i Fakultetit dhe Senati të konsultohej me të, pavarësisht rezultatit të konsultimit Senati do të mund të vazhdojë me shkarkimin e Dekanit, kjo sepse Statuti i ka dhënë të drejtë absolute për shkarkimin e Dekanit dhe kjo është bërë me votim unanim, që do të thotë ka qenë vullneti i të gjithë anëtarëve të Senatit që paditësit të shkarkohet nga pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik..”, thuhet më tej në vlerësimet faktike dhe juridike të gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se shkarkimi i dekanit nuk përbën shkelje ligjore pavarësisht faktit se Universitetit “Isa Boletini” i mungon një rregullore për procedurat dhe arsyet e shkarkimit të dekanëve.

“Senati si organi më i lartë vendimmarrës mund të marrë vendimet e tij duke ndjekur procedurën e votimit sipas Rregullores nr.1258 e datës 30.06.2021 mbi Punën e Senatit të UIBM e cila rregullon mënyrën e mbajtjes së dhe mënyrën e votimit, e cila për gjykatën me rastin e shkarkimit dekanit, nuk përbën aspak një procedurë jo ligjore apo arbitrare, por është zhvilluar një procedurë ligjore dhe është bërë votimi komfor Rregullores nr. 1258 e datës 30.06.2021 mbi Punën e Senatit të UIBM ku në fund është marrë një vendim me vota unanime të Senatit të UIBM”.

Gjykata nuk është lëshuar në vlerësimin e detyrave të punës së një dekani pasi një kompetencë e tillë administrative është e Senatit si mbikëqyrës i punës së udhëheqësve të njësive akademike brenda një universiteti.

Sipas padisë së paraqitur më 17 tetor 2022 dhe parashtresës për rregullimin e padisë më 20 janar 2023, paditësi Agron Beka i cili në këtë lëndë përfaqësohej nga avokate Merita Stublla-Emini kishte pretenduar se vendimi i datës 30 shtatorit 2022, i nxjerrë nga Senati i Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë, është i kundërligjshëm ku ishte shkarkuar nga pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-së. Në padi pretendohej se vendimi se ishte në kundërshtim të plotë me nenin 66 të Statutit e Universitetit “Isa Boletini”.

Tutje në padi thuhej se në mungesë të mosfunksionimit të Këshillit të Fakultetit Juridik ka qenë absolutisht e domosdoshme që Këshilli Drejtues i UIBM-së së pari t’i shpallë zgjedhjet për formimin e Këshillit të Fakultetit, të konstituohet Këshilli, pastaj Senati të konsultohet me Këshillin e Fakultetit për shkarkimin eventual të dekanit. Sipas padisë, Senati do të duhej të merrte zyrtarisht propozimin nga Këshilli i Fakultetit Juridik për shkarkimin e dekanit por se fillimisht duhej të ekzistonte Rregullorja për procedurat dhe arsyet për shkarkimin e dekanit.

Në anën tjetër, e paditura Universiteti ‘’Isa Boletini’’ në Mitrovicë që përfaqësohej nga Avdyl Beqiri kishte propozuar gjykatës të refuzohet në tërësi si e pabazuar padia dhe kërkesëpadia e paditësit dhe të vërtetohet vendimi i Senatit të UIBM për shkarkimin e tij.

Të ngjashme