Lajme
Gjykata dënon zëvendësministrin e Qeverisë Kurti
Demokracia
21:58 | 12 Qershor 2023

Share:

Gjykata Themelore në Prizren, më 1 qershor 2023, ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin Adnan Rexheplar, zëvendësministër i Mbrojtjes, duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë e 700 euro, pas arritjes së marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rexheplar, aktualisht mban pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, i cili vjen nga partia e komunitetit boshnjak, VAKAT.

Ai akuzohej se si kryesues i Komisionit për rekrutimin e kandidatëve në konkursin e shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Dragash, për pozitën mësues klasor në shkollën “Fetah Sylejmani”, ka shënuar përgjigjen e 11-të në testin me shkrim për kandidatin Muhamed Misini, për të cilën përgjigje i njëjti nga ana e Komisionit është vlerësuar me 4 pikë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë vendim, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani e kishte marrë pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë e lidhur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të akuzuarit Rexheplar.

Gjykatësi Sejrani, për të akuzuarin Rexheplar fillimisht kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, mirëpo i njëjti dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar me 2 mijë e 700 euro gjobë.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, ndërsa në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave shumën prej 50 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 9 shkurt 2023, Adnan Rexheplar, si kryesues i Komisionit për rekrutimin e kandidatëve, sipas konkursit me numër 13/33, të shpallur nga DKA në Dragash, më 15 janar 2020, për pozitën mësues klasor në SHFMU “Fetah Sylejmani”, në fshatin Xërxë, Komuna e Dragashit, më 4 shkurt 2020, në ambientet e Kuvendit Komunal në Dragash, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe atë për kandidatin i cili ka aplikuar sipas konkursit të cekur, Muhamed Misini

Aktakuza thotë që Rexheplar ka shënuar përgjigjen në testin me shkrim të kandidatit Muhamed Misini, dhe atë në pyetjen numër 11, për të cilën përgjigje i njëjti nga ana e Komisionit është vlerësuar me 4 pikë, ndërsa që dorëshkrimi në pyetjen me numër rendor 11, të këtij testi me shkrim nuk është i shkruar nga kandidati, Muhamed Misini, është vërtetuar nga raporti i ekspertimit, nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të datës 5 tetor 2022.

Për këto veprime, Rexheplar ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Të ngjashme