Sport
Gjilani nuk shkon në Suharekë me “flamur të bardhë”, Ramadani paralajmëron Ballkanin para derbit të nesërm
Demokracia
17:17 | 30 Shtator 2022

Share:

Këtë fundjavë do të zhvillohet java e nëntë në Superligën e Kosovës në futboll. Të shtunën do të luhen tri ndeshje, derisa të dielën dy sosh.

Padyshim, e gjithë vëmendja do të jetë në Suharekë te ndeshja Ballkani – Gjilani.

Dy skuadrat që pretendojnë pjesën e epërme të tabelës do të ndeshen me njëra-tjetrën. Një ditë para ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani në një bisedë me FrontOnline ka folur për pritshmëritë në këtë përballje.

Përkundër telasheve të mëdha financiare brenda në klub, trajneri shkupjan është optimist.

“Patjetër që çdo sportist është edhe optimist për të nxjerrë rezultat pozitiv. E dimë se Ballkani ka super-skuadër dhe gëzon një formë të mirë, por ne nuk do të shkojmë me flamur të bardhë, por do të shkojmë për ta dhënë maksimumin”, thotë fillimisht Zekirija Ramadani.

Duke folur për telashet brenda klubit, ai ka thënë se skuadra do ta jap maksimumin – të paktën deri në fund të stinorit vjeshtor.

“Problemi është dhe qëndron, por ne kemi dhënë fjalën njëri-tjetrit se nuk do ta mendojmë shumë atë problem, por secili që do të jetë në ndeshje do ta jap maksimumin të paktën deri në përfundim të stinorit vjeshtor”, theksoi ai.

Ai tregon se është e vështirë të motivohet skuadra në këtë situatë.

“Nuk është e lehtë të motivohet skuadra, por kam futbollistë me karakter të lartë dhe kjo më ndihmon shumë”, nënvizoi tekniku shkupjan.

Për fund, i pyetur për të ardhmen e tij, ai thotë se nuk e ka menduar një gjë të tillë.

“Për momentin nuk mendoj fare për veten se jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe duhet menduar për të gjithë”, përfundoi Zekirija Ramadani. /Demokracia.com

Të ngjashme