Lajme
Gjermania ‘in’, Austria ‘out’: Çka po ndodh me tërheqjen dhe shtimin e trupave në KFOR?
Demokracia
19:41 | 29 Nëntor 2023

Share:

Gjermania pritet të sjellë rreth 150 trupa shtesë në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it. Megjithatë, kjo nuk do ta rris numrin, pasi Austria pritet që nga prilli t’i largojë disa prej trupave të saj.

Në Bruksel këto dy ditë po mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s. Paraprakisht, kryediplomatja gjermane Ana Baerbock para mediave që foli për trupat shtesë që pritet të vijnë në Kosovë.

“Gjermania do të kontribuojë me 150 trupa në KFOR.” – tha ajo.

Megjithatë, numri i trupave në KFOR nuk do të rritet

Në tetor të këtij viti, ishte bërë e ditur se Austria pritet t’i tërheq disa prej trupave të saj nga Kosova.

Siç edhe ishte konfirmuar nga një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Austrisë, në të ardhmën, rreth 120 më pak ushtarë austriakë do të jenë të stacionuar në Kosovë.

Ky vendim erdhi pas zhvillimeve e tensioneve në veri, madje, edhe pas sulmit terrorist në Bajnskë të Zveçanit. Megjithatë, vendimi nuk ka të bëjë asgjë me këtë.

Siç kishin njoftuar autoritet austriake, vendimi ishte marrë kohë më parë.

Sipas mediumit austriak “Der Standard”, çështja ka të bëjë me atë se Austria do t’i dërgojë 500 ushtarë për “Battlegroup 2025” dhe se ushtrimet e tyre, do të fillojnë vitin tjetër.

Kështu, një pjesë tjetër e trupave do të qëndrojë e rezervuar për misionin e KFOR-it.

Gjermania dërgon më shumë trupa

Kështu, siç raportonte “Der Spiegel”, kancelaria gjermane veçse ka aprovuar planet për dërgimin e 150 trupave shtesë në Prishtinë gjatë vitit të ardhshëm.

Nëpër media, u raportua se një vendim i tillë erdhi me kërkesë të Austrisë.

Edhe Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë konfirmoi që këto zhvillime, nuk kanë të bëjnë asgjë me tensionet në veri të Kosovës dhe që rrjedhimisht, kjo nuk nënkupton rritje të trupave të KFOR-it.

Në lidhje me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte pyetur edhe në një intervistë për televizionin publik austriak.

“Në prill, Austria do të tërheqë gjysmën e trupave që i ka në Kosovë në kuadër të KFOR-it. A jeni të zhgënjyer? – e kishte pyetur gazetari Kurtin.

Kurti kishte përsëritur edhe një herë që vendi ka nevojë për më shumë trupa ushtarake të KFOR-it

“…ne kemi nevojë për më shumë kapacitete, ne kemi nevojë për më shumë prezencë të KFOR-it, por kemi nevojë edhe për programin për partneritet për paqe me NATO-n. E falënderoj Republikën e Austrisë, ushtarët, oficerët, gjeneralët që kanë shërbyer në Kosovë. Është vendim sovran i Republikës së Austrisë, por unë besoj që Kosova dhe KFOR kanë nevojë për njëra tjetrën në të ardhmen, përveçse të jenë pjesë e historisë së njëri-tjetrit.” – kishte thënë ai.

Vlen të përmendet se së fundi, edhe Britania e Madhe dhe Rumania kanë fuqizuar numrin e trupave të tyre në kuadër të misionit të KFOR-it.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth tre mijë e 400 trupa të KFOR-it.

Të ngjashme