Lajme
Gjermania e Austria “ndezin” motorët para samitit të nesërm| Duhet të integrohet Ballkani Perëndimor
Demokracia
18:22 | 22 Qershor 2022

Share:

Zëvendëskancelari i Republikës së Austrisë, Werner Kogler ka mbajtur sot një takim me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Kogler përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se takimi vjen pikërisht para Samitit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, përcjell Demokracia.com.

“Shkëmbim interesant me përfaqësuesin special të qeverisë federale gjermane për #Ballkanin Perëndimor @ManuelSarrazin , përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel nesër”, ka thënë ai.

Kogler tutje ka shtuar se po punojnë bashkë që të integrohet Ballkani Perëndimor, duke përmendur se shtetet e këtij rajoni janë partnerë të rëndësishëm të të dyjave shteteve, përcjell Demokracia.com.

“ Ne punojmë së bashku për të forcuar përpjekjet evropiane për integrimin e këtij rajoni – sepse Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova dhe Shqipëria janë gjithashtu partnerë të rëndësishme për ne”, ka thënë ai.

Sarrazin së fundi në një intervistë për DW ka ngritur çështjen e heqjes së vizave për Kosovën, çështje të cilën Gjermania e ka mbështetur.

Ai mes tjerash ka thënë se BE-ja duhet t’i bëjë më të besueshme politikat e zgjerimit, përcjell Demokracia.com.

“Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë, Qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, ka thënë ai.

Ndërkaq, edhe ministrja austriake për Evropën, Karoline Edtstadler ditë më parë ka kërkuar që qytetarëve të Kosovës t’u hiqet regjimi i vizave.

Përveç samitit të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nesër do të mblidhet edhe Këshilli Evropian.

Në agjendën e publikuar është parë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është pikë e rëndit të ditës, derisa përmendet çështja e dhënies së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Megjithatë gjasat që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në rend dite për diskutim ekzistojnë, meqë në njërën prej pikave të agjendës që ndërlidhet me çështjet e politikës së jashtme, thuhet se “në dritën e ngjarjeve, Këshilli Evropian mund të trajtojë çështje specifike të politikës së jashtme”./Demokracia.com/

 

Të ngjashme