Lajme
Gjendje e qetë në veri, Policia vazhdon të qëndrojë pranë komunave
Demokracia
12:42 | 28 Maj 2023

Share:

Dy ditë pas tensioneve të krijuara nga grupe serbësh në veri të vendit, në kundërshtim të hyrjes së kryetarëve të rinj në zyrat e tyre, situata e përgjithshme e sigurisë në atë pjesë është e qetë.

Pranë ndërtesave të Komunave në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës, si dhe brenda ambienteve të tyre, ka prani të Policisë së Kosovës, në ruajtje të rendit.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se serbët nga dita e hënë do të fillojnë me protesta të përditshme kundër prezencës së pjesëtarëve të policisë në këto komuna.

Sipas këtyre burimeve, në këto protesta do të vijnë edhe persona nga Serbia, në emër të grupeve të tifozëve ‘Delije’ dhe ‘Grobari’, të njohur për prishje të rendit dhe huliganizëm.

Ndryshe, dy ditë më parë serbët në tri komunat veriore të Kosovës hodhën gurë në drejtim të policëve duke lënduar disa prej tyre, ndërsa dogjën edhe automjete policore.

Të ngjashme