Barazia
Gjashtë gra do t’i nënshtrohen operimit për rindërtimin e gjirit
Demokracia
09:55 | 21 Nëntor 2021
Ilustrim

Share:

Në fillim të muajit dhjetor në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, gjashtë gra të cilat e kanë kaluar tashmë sfidën me kancerin e gjirit do t’iu nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për rindërtimin e gjirit të tyre. Krejt kjo fal një donacioni nga një kompani gjermane e cila ka siguruar fillimisht 6 implante për këto gra dhe thirrjes që Klinika Kirurgjisë Plastike, kishte ndërmarrë për vetëdijësimin e grave për rikonstruimin e gjirit.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi thotë se thirrja e kësaj klinike gjatë muajit tetorit për gratë që janë ballafaquar me kancer të gjirit është përmbyllur me mjaftë sukses, pasi që 56 gra kishin kërkuar trajtim.

Zatriqi u shpreh e lumtur që tashmë kanë siguruar 6 implante nga një donator gjerman, por shton se përkrahje për këtë projekt ka marrë edhe nga drejtoria e SHKSUK-së.

“Mund të them lirisht që kampanja e muajit rozë për vetëdijesimin e gruas kundër kancerit të gjirit mund të them se është përmbyllur me mjaftë sukses, për arsye se ne kemi arritur të kontrollojmë diku rreth 56 gra të cilat janë operuar si pasojë e karcenomës së gjirit dhe e them me mjaftë sukses sepse kemi shumë lajme të mira. Fillimisht kemi përkrahje nga drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së që do na mbështes me blerjen e këtyre implanteve meqenëse ne kemi bërë zgjedhjen e procedurave kirurgjikale për të cilat ka nevojë me iu nënshkruar këto gra…..Prej 56 grave kemi bërë përzgjedhjen e 6 grave që do iu nënshtrohen intervenimit kirurgjikal menjëherë në muajin dhjetor ne po bëjmë përgatitjet prej datës 10 dhjetor të fillojmë operimin e këtyre grave”, theksoi ajo.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës së Kirurgjisë Plastike për KosovaPress, deklaroi se gjatë këtyre dy muajve të fundit është rritur shumë interesimi i grave dhe vajzave që duan të rindërtojnë gjirin e tyre.

Ajo po ashtu tha se me donatorët gjerman kanë arritur një marrëveshje që të bëhet edhe trajnimit i specializantëve të rinj rreth këtyre operimeve me kosto të lartë.

“Ne kemi arritur një marrëveshje që fillimisht ata të dhurojnë si donacion implante për gra ekspandera dhe implante për pesë gra ndërsa brenda vitit të ardhshëm nënkupton bashkëpunim ndër kolegjial qoftë në trajnimin e stafit të ri të mjekëve të rinj dhe bashkëpunimin me ekspert të huaj nga rajoni që do vijnë dhe do mbështesin disa operacione të cilat janë mjaftë komplekse….. Interesimi është jashtëzakonisht i madh, mirëpo me siguri tani kur në dhjetor do startojmë me operimet e para dhe gratë tona do shohin seriozitetin e punës tonë dhe kemi qenë serioz në premtimet tona atëherë besoj që interesimi do jetë edhe më i madh….Do të sistemohen të trajtohen gradualisht çdo muaj varësisht nga kapacitet që kemi dhe varësisht nga implantet që do blihen nga menaxhmentit dhe ne nuk po ndalemi duke kërkuar edhe burime tjera sepse kosto e këtyre produkteve është e lartë gjithkund në botë këto implante apo ekspandera indor i mbështet sigurimi shëndetësor e meqenëse ne nuk kemi ende sigurim shëndetësor ne po gjejmë mundësi të tjera të këtyre implanteve”, u shpreh Zatriqi.

Kurse, Erik Vogelenzang nga kompania gjermani “Establimshent Labs”, e cila është donator e implanteve për 6 grat e para që do të bëjnë rikonstruktimin e gjirit, tha se kompania e tyre synon që t’u dal në ndihmë edhe grave në vendet më pak të zhvilluara.

Ai në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se krahas këtyre 6 pacienteve deri në fund të vitit të ardhshëm synojnë t’u dalin në ndihmë edhe 50 grave të tjera që kanë shprehur interesim për rindërtim të gjirit të tyre, pas ballafaqimit me kancerin e gjirit.

“Ne thamë që në dhjetor, do të operojmë pacientët e parë. Sot në mëngjes kemi takuar gjashtë pacientë, të cilët janë pak a shumë kandidatë për rindërtim të gjirit. Ne nuk do t’u themi atyre që të kenë rindërtim të gjirit. Ne u japim atyre një mesazh, ata mund të mendojnë për këtë në dy javët e ardhshme dhe më pas mund të vendosin të vijnë dhe të bëjnë operacion, në dhjetor. Ne gjithashtu kemi planifikuar dy takime ose seanca në shkurt dhe fillim të marsit. Pra, ne kërkojmë të operojmë 3, 4 ose 5 pacientë për seancë. Pra, kjo do të thotë që ne po shikojmë të operojmë 50 pacientë deri në fund të vitit të ardhshëm”, u shpreh ai.

Vogelenzang shpreson se përmes këtyre donacioneve do të arrijnë t’ua kthejnë besimin grave të prekura nga kanceri i gjirit.

“Tashmë kemi paciente të planifikuara tashmë për muajin tjetër për të bërë operacione. Ne ofrojmë transplantime për ato operacione, ata sigurojnë kohën e tyre për të bërë këto operacione, për të bërë siç tani ne po bëjnë ndërgjegjësim përmes këtij programi. Shpresojmë që të gjitha këto gra që janë në shtëpi, 10-20 vite pas mastektomisë, të fillojnë të kuptojnë se ekziston një mundësi që ato të rifitojnë shëndetin, të rifitojnë besimin e tyre dhe të rifitojnë cilësinë e jetës”, tha ai.

Kujtojmë që gjatë muajit tetor i cili njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancer të gjirit, Klinika e Kirurgjisë Plastike hapi dyert për të gjitha gratë të cilat kanë kaluar këtë sëmundje dhe duan të bëjnë rindërtimin e gjirit të tyre, krejt kjo thirrje ishte bërë me qëllim që gratë nga Kosova të mund të njoftohen se edhe në këtë klinik mund të bëhet riformimi i gjiri.

Të ngjashme