Lajme
Gërxhaliu paralajmëron pandemi demografike: Ikja e të rinjve alarmante, institucionet të reagojnë
Demokracia
14:20 | 17 Gusht 2023

Share:

Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se njëra ndër problemet më të mëdha me të cilat do të përballet sektori privat në të ardhmen është mungesa e fuqisë punëtore, kjo pas ikjes së të rinjve nga vendi.

Ai tha se ikja e të rinjve është bërë një fenomen shqetësues, që sipas tij, është duke ndodhur si shkak i mungesës së stabilitetit politik, pagat e ulëta dhe mosmarrja e masave për të parandaluar, siç e quan ai, këtë pandemi demografike e cila mund ta zbrazë Kosovën. Gërxhaliu tha se për sektorin privat në të ardhmen nuk do të jenë sfida tregu, prodhimi, çmimet e larta të energjisë elektrike e derivateve, por sipas tij, problem i madh do të jetë mungesa e fuqisë punëtore, duke shtuar këtu edhe faktin që nga janari do të bëhet edhe liberalizimi i vizave.

“Në rend të parë mendoj se njëra ndër sfidat më të mëdha për sektorin privat në të ardhme nuk do të jetë tregu, nuk do të jetë prodhimi, nuk do të jetë çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe i derivateve po do të jetë mungesa e fuqisë punëtore. Ne kemi paralajmëruar që do të jetë mjaftë sfiduese dhe kemi menduar që do të merren masa që ky problem të zgjidhet, kur krejt kësaj i shtohet fakti që nga janari do të kemi edhe liberalizimin. Besoj që do të jetë një tentativë e madhe e të rinjve për të ikur”, tha ai.

Gërxhaliu tha se në vend mungojnë kampanja vëtëdijesuese e motivuese për të rinjtë që ata të mbesin në Kosovë, ai shtoi se në ikjen e tyre ka ndikuar stabiliteti ekonomik.

“Mungojnë kampanja vetëdijesuese, mungojnë kampanja motivuese që të rinjtë të mbesin në Kosovë, definitivisht vitet e ardhme sidomos në aspektin kohorë afat shkurt, në dy-tri vitet e para duhet të jetë mjaftë shqetësuese një pjesë dërrmuese e këtyre të rinjve që pretendojnë të dalin jashtë Kosovës nuk e kanë parë Evropën dhe një farë forme e kanë si mollë të ndalura që dëshirojnë që ta shohin. Në rend të dytë aspekti politik dhe mungesa e stabilitetit politikë në Kosovë është një problem i cili çdo ditë me tepër po dramatizohet dhe të rinjtë po e humbin shpresën se në Kosovë do ta behët mirë, apo do të ketë prespektiv dhe ardhmëri”, tha ai. I

sh-drejtori i OEK-ut, tha se situata me largimin e të rinjve nga vendi është një situatë alarmante, prandaj sipas tij, është momenti i fundit kur Qeveri duhet që të veproj në këtë drejtim.Ai me këtë rast ka bërë edhe disa pyetje se si mund të jetohet me një rrogë nga 190 deri në 350 euro në këtë kohë inflacioni e me ngritje të çmimeve.

“Vërtet për mua situata është mjaftë alarmante, nuk i duhet Kosovës një pandemi demografike, se çfarë pandemie më të rrezikshme mund ta kaploj një shtet të ri çfarë është Kosova se sa zbrazja e saj. Prandaj besoj që është momenti i fundit kur duhet të veprohet në këtë drejtim, duhet të kthehet një perspektiv e humbur dhe një shpresë e humbur që këtu mund të jetohet. Lind pyetja se si mund të jetohet në Kosovë në këtë kohë të inflacionit, të ngritjes së çmimeve me një pagë 190 euro, sot paguhen punëtorët e sigurimit të pasurive dhe objekteve. Si mund të jetohet më një pagë 230 euro për të punësuarit dhe të punësuarat nëpër markete. Si mund te jetohet me kompani të sigurimeve, në kalkuime të dëmeve me 300 deri 350 euro dhe si mund të ndërtohet perspektiva në Kosovë në qoftë se më tepër se 80 mijë të punësuar kanë pagën me të vogël se 350 euro. Prandaj a nuk janë këta indikatorë shqetësues që duhet ti prekin institucionet vendore”, tha ai.

Gërxhaliu tha se nga vendi nuk janë duke ikur vetëm të varfëritë, por edhe studentët edhe familjet që kanë edhe një stabilitet material, kjo sipas tij është duke ndodhur për shkak se ata janë duke kërkuar arsim më kualitativ, siguri më të lartë, shëndetësi më të mirë etj.

“Në aspektin ekonomik duhet që të bëhet me tepër sepse me këtë nivel të zhvillimit ekonomik, me këtë qasje të qeverisë përball biznesit, me këtë mungesë të një dialogu të mirëfillte, në qoftë se bizneset tentohet gjithmonë vetëm për tu ndëshkuar dhe jo për t’u motivuar vërtet shqetësues në aspektin integrues deri sa Kosova nuk do të ketë një zgjidhje politike apo një marrëveshje mesë Serbisë dhe Kosovë ankthi do të jetë gjithmonë prezent. Të rinjtë e kanë kuptuar se jeta nuk e ka jetën e dytë rezervë, në këtë drejtim ata tentojnë ta sigurojnë vetën atje ku e kanë më mirë. Nga Kosova nuk janë duke ikur vetëm të varfëritë, janë duke ikur student, janë duke ikur familje që kanë një stabilitet material sepse kërkojnë arsim më kualitativ, kërkojnë siguri më të lartë, kërkojnë shëndetësi më të mirë dhe kërkojnë integrim modern”, tha ai.

Mbi gjysma e shtetasve të Kosovës nuk kanë ndërmend të shkojnë në BE as pas liberalizimit të vizave, tregon anketa.

Një studim i kohëve të fundit nga SchengenVisaInfo.com zbulon se 62.3 për qind e të anketuarve, të cilët janë kryesisht nga mosha 25 deri në 34 vjeç, thanë se nuk po mendojnë të transferohen në BE, krahasuar me 37.7 për qind që zbuluan planet e tyre, për t’u larguar një ditë nga Kosova.

Të ngjashme