Lajme
Gërvalla prezanton kryetarin e Guxo në Gjermani mes bursistëve të programit të Diplomacisë Qytetare
Demokracia
16:44 | 20 Dhjetor 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka prezantuar sot bursistët e Programit për Diplomaci qytetare nga 14 shtete të botës, program të cilin e shfrytëzuan për të rehatuar mbështetës të Guxo.

Siç ka raportuar Demokracia.com ditë më parë njëri nga bursistët është kryetari i Guxo në Gjermani.

Kryetari i partisë Guxo në Gjermani, Berlind Gajraku, është përzgjedhur nga MPJD në programin për Diplomaci Qytetare 2023.

Gajraku, siç merr vesh Demokracia.com, do të paguhet rreth një mijë euro në muaj.

Gajraku ishte renditur i 16-ti në listën përfundimtare të kandidatëve të përzgjedhur

DOKUMENT | Donika Gërvalla gjen mënyra të reja për të paguar anëtarë të GUXO-s me para të shtetit

Në këtë ceremoni morën pjesë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësministrja Liza Gashi, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti, si edhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Gërvalla iu uroi mirëseardhjen bursistëve dhe theksoi rëndësinë e programit, duke e cilësuar atë si shumë të suksesshëm. Ajo vuri në pah përvojën e fituar gjatë vitit të kaluar dhe rezultatet e sjella nga gjenerata e parë e bursistëve, të angazhuar në MPJD gjatë vitit 2022-2023, një pjesë prej të cilëve tashmë kanë vendosur të mbeten në Kosovë dhe të japin kontributin e tyre nëpër Institucione të ndryshme.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, zëvendësministrja Gashi tha se Programi për Diplomaci Qytetare, jo vetëm do t’i ofrojë këtë mundësi të angazhimit të profesionistëve të rinj nga diaspora, por njëherit synon të krijojë mundësi, që kuadrot tona në diasporë të përfshihen drejtpërdrejtë në institucionet e politikbërjes dhe vendimmarrjes në vendin e origjinës.

Gjatë kësaj ceremonie 23 bursistët, të cilët vijnë nga 14 shtete të ndryshme të botës, patën rastin që të prezantohen para të pranishmëve dhe të flasin për motivin dhe pritshmërinë e tyre për eksperiencën e cila i pret në Kosovë.

Për dallim nga gjenerata e parë, e cila ka qëndruar përgjatë gjashtë muajve në MPJD, bursistët e grupit të dytë të Programit të Diplomacisë Qytetare do të kenë mundësi që të japin kontributin e tyre për dhjetë muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe ministri të ndryshme të linjës./ Demokracia.com

Të ngjashme