Lajme
Gërvalla “harron” që Escobar i reagoi për “tigrin e letrës”, fajin ia hedh Lajçakut
Demokracia
17:14 | 12 Korrik 2023

Share:

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla foli në një intervistë në Euronews Albania për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe zbatimin e dakordësisë për shtensionimin e situatës të arritur me BE-në.

Gërvalla iu rikthye dhe njëherë deklaratës së saj, se BE-ja pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në aspektin e sigurisë, është një tigër prej letre.

Ajo shtoi se deklarata e saj u tjetërsua nga Miroslav Lajçak dhe u përgjithësua, ndërkohë që ajo e tha atë vetëm për aspektin e sigurisë.

Ministrja e Jashtme, shtoi se Kosova duhet ta ketë të qartë se në aspektin e sigurisë nuk duhet të mbështetet vetëm te Bashkimi Evropian, por më kryesorja është mbështetja amerikane. Sipas saj fati i mirë i Kosovës është që si BE dhe SHBA janë në sinkron me njëra tjetrën për sa i përket sigurisë në Kosovë.

“Lajçak u përpoq që ta tjetërsonte deklaratën time. Ajo që thash unë se në aspektin e sigurisë, për shkak se nuk është unik, BE është një “tigër prej letre” pa NATO-n dhe SHBA-të. Gjë që përputhet me realitetin ku jetojmë. Zoti Lajçak u përpoq që ta transmetonte si një kritikë ndaj BE-së, në përgjithësi, që e tillë nuk ishte. Këto tendenca kanë qenë edhe në mediumet tona, unë nuk e kam vendosur BE-në si të tillë, kam marrë vetëm një aspekt që është shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor në këto kohë të trazuara duhet ta dijë sa mund të mbështet te BE, kur kemi të bëjmë me cënimin e sigurisë. Po të mbështetemi vetëm në BE për çështjet e sigurisë atëherë kam frikë se nuk kemi zgjedhur rrugën e duhur. Por ne nuk e kemi këtë sfidë pasi si SHBA dhe NATO, siç e kemi parë në samitin e NATO-s janë të përkushtuara në rajonin tonë dhe së bashku me BE-në do të gjejmë zgjidhjet e duhura”, tha Gërvalla.

Mirëpo, Gërvalla duket se nuk e thotë të vërtetën kur flet për deklaratën që irritoi shumë njerëz, kur e quajti BE-në “tigër prej letre”. Ka qenë emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar ai që i ka reaguar Gërvallës për këtë deklaratë.

“Më vjen keq, që dua të dalloj këtu me kolegen time nga Kosova, por çdo gjë pozitive që ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit është arritur me bashkëpunimin e kombinuar SHBA-BE. Integrimi mbetet aspirata jonë më e lartë për rajonin”, i tha Escobar, Gërvallës të shtunën në samitin e Dubrovnikut. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme