Lajme
Gërvalla e pranon që marrëveshja e Ohrit është e keqe, por thotë se u bë meqë në tavolinë ishin edhe aleatët
Demokracia
21:49 | 22 Janar 2024

Share:

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka thënë se “topi” është tek Bashkimi Evropian për finalizimin e tri marrëveshjeve me Serbinë. Ajo ka kërkuar nga BE që ta sjell Serbinë në tavolinë për t’i nënshkruar marrëveshjet, ndër to edhe njohjen reciproke të dy shteteve.

Kryediplomatja ka pranuar se marrëveshja e Ohrit është e keqe, pasi që nuk parasheh njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, por vetëm njohje de-facto. Por, siç thotë ajo, u bë pasi që në tavolinë ishin aleatët ndërkombëtarë.

“Po të ishim vetëm me Serbinë në tavolinë do të thoja se kjo ishte gabim, por nëse janë të kyçur në këtë proces partnerët tanë më të rëndësishëm, mendoj se ky ka qenë një hap i rëndësishëm”, tha ajo.

“Bisedat fillimisht i kemi nisur për njohje të ndërsjelltë e jo njohje de-facto. Nuk është vlerësuar mjaftueshëm nga aleatët lëvizjet që ka bërë Kosova, nga kërkesa në njohje të ndërsjelltë si qendra e negociatave tona në një pranim të një marrëveshjeje bazike”, tha ajo.

Më tej, e para e diplomacisë kosovare ka thënë se topi është tek BE. Sipas saj, ndërkombëtarët duhet të sjellin Serbinë në tavolinë.

“Topi është tek BE, duhet sjell Serbinë në tavolinë për nënshkrimin e tri dokumenteve. Nëse nuk arrin t’i sjell nuk shoh mundësinë për Kosovën për të lëvizur. Çka vlen për neve, vlen edhe për Serbinë. Topi nuk është tek Kosova, topi ka lëvizur. Nëse BE bind Serbinë ecim përpara. Kërkesat ndaj Kosovës nuk janë fer”, tha ajo për Tëvë1.

Të ngjashme