Lajme
Gazetarja Omeri jep detaje për tollovinë e krijuar në Kuvendin e Shqipërisë
Demokracia
18:17 | 20 Korrik 2023

Share:

Gazetarja nga Shqipëria, Klesiana Omeri, ka dhënë detaje për rrëmujën që u bë sot në parlamentin shqiptar.

Ajo tha se seanca në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate të forta, ku mazhoranca nuk i ka pranuar dy kërkesat e opozitës për të bërë mocion me debat dhe interpelancë të kryeministrit Edi Rama, pas zhvillimeve të fundit dhe kërkesës për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrin, Arben Ahmetaj.

“Duke qenë se kjo kërkesë e opozitës nuk është pranuar dhe Rama nuk ishte i pranishëm në seancë, deputetët për orë të tëra këmbëngulën për praninë e tij dhe gjithashtu për të pranuar dy kërkesat, për të zhvilluar interpelancën dhe mocionin me debat”.

“Pikërisht këto zhvillime kanë bërë që të mos vijojë rrjedhja normale e parlamentit dhe pas më shumë se 3 orësh të nisë me agjendën parlamentare, e cila sot ka disa projektligje të rëndësishme për të miratuar”, tha Omeri në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Omeri tha se dy nga projektligjet më të rëndësishme që pritet të votohen sot janë ai për kanabisin mjekësor dhe projektligji për studentët e mjekësisë që i detyron ata të qëndrojnë deri në 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në mënyrë që ta marrin diplomën universitare.

“Kjo është një nismë e qeverisë me argumentin se duhet të frenohet largimi i bluzave të bardha nga Shqipëria, por studentët vazhdimisht e kanë kundërshtuar, madje edhe sot gjatë orëve të para ka pasur protesta dhe iu është kërkuar deputetëve që të mos votojnë pro këtij projektligji”, tha Omeri.

 

Të ngjashme