Lajme
Gazetari gjerman: Një diplomat më tha se duan ta çojnë Gjukanoviqin në ekzil
Demokracia
18:02 | 03 Prill 2023

Share:

Gazetari gjerman i FAZ-it, Michael Martens, i ka bërë një rekapitullim pushtetit 33 -vjeçar të Milo Gjukanoviqit, ndërsa thotë se fitorja e kundërkandidatit të tij, nuk do të thotë “fitore e Putinit” dhe as rrezik për ta larguar Malin e Zi nga perspektiva evropiane.

Michael Martens, gazetar i të përditshmes gjermane Frankfurten Allgemeine Zeitung (FAZ), që përcjell zhvillimet politike në Ballkan, ka analizuar rënien nga pushteti të Milo Gjukanoviqit dhe fitoren e kandidatit pro-serb për President të Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

“Gjukanoviqi jashtë pushtetit pas pothuajse 33 vjetësh do të thotë gjithashtu se të tjerët tani do të marrin fajin për të metat e ardhshme në Malin e Zi. Pasi histeria në kampin Gjukanoviq (“një fitore për Putinin”) të kalojë, do të jetë interesante të shihet se si zhvillohet në të vërtetë vendi”, ka shkruar Martens në Twitter.

“Gjukanoviqi ishte politikani i fundit në fuqi që nga luftërat jugosllave në vitet e ‘90-ta, i cili luajti një rol udhëheqës në shtetin e tij. Kështu që, nuk ekzagjerim të flitet për një përfundim të një epoke”.

Lideri që udhëhoqi Malin e Zi kur u pavarësua në vitin 2006 dhe kur u bë anëtare në NATO në vitin 2017, sipas Martens, në vitet e fundit të pushtetit, ishte bërë pengesë e partisë së tij, e cila i humbi zgjedhjet parlamentare dy vjet më parë.

“Kur isha herën e fundit në Podgoricë, disa politikanë nga partia e tij anonimisht ankoheshin se Gjukanoviq ishte kthyer nga një aset në një detyrim për partinë. Cfarë do të thotë kjo për të ardhmen e Gjukanoviqit si kryetar partie? Nuk e di”, ka shkruar tutje gazetari gjerman.

Ai tutje citon një diplomat perëndimor t’i ketë thënë se ka vullnet që Gjukanoviq të çohet në ekzil.

“Një diplomat perëndimor më ka thënë se disa do të donin ta conin Gjukanoviqin në ekzil që ta heqin qafe. Por ku? Gjukanoviq në Dubai? Në Katar? Vështirë ta imagjinosh”, shkruan ai.

Në fund, Martens ka shkruar se Presidenti i zgjedhur malazez ka marrë bursë për shkollim nga një fondacion gjerman dhe se, sipas tij, nuk qëndrojnë thirrjet se fitorja e tij do ta largojë Malin e Zi nga Perëndimi dhe është “fitore e Putinit”.

Sipas gazetarit gjerman, tani mbetet të shihet se çfarë raportesh do të ketë presidenti i ri malazez me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Të ngjashme