Lajme
Gazeta gjermane për tensionet Kosovë-Serbi: “Rusët që ikën nga Putini po ndryshojnë Beogradin”
Demokracia
16:33 | 27 Dhjetor 2022

Share:

Lajme për tensione të reja në veri të Kosovës, si dhe për faktin se Serbia ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë, kanë bërë që për këto çështje të raportojnë edhe disa mediume nga Gjermania.

Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se si rusët e ikur nga Putini po e ndryshojnë Beogradin.

“Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës po rriten sërish”, raporton portali i shërbimit publik gjerman ARD.

“Pas të shtënave në afërsi të postblloqeve serbe në Kosovë, Serbia e ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj në kufi me shtetin fqinj në ‘nivelin më të lartë’ (…) Është e paqartë se çfarë do të thotë ky urdhër në terren, veçanërisht pasifoorcat serbe janë në kufi për disa kohë, në gatishmëri”.

“Süddeutsche Zeitung” shkruan gjithashtu se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë shtuar javët e fundit dhe se për këtë arsye qeveria serbe ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj, transmeton Paparaci.

Gazeta e Mynihut rikujton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviq që të shkojë në zonën kufitare, sepse situata në kufi është “e komplikuar dhe komplekse”.

Kurse, e përjavshmja Spiegel kujton se “qindra serbë kanë bllokuar trafikun në veri të Kosovës për javë të tëra” dhe shton: “Pak para se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të nisej për në zonën kufitare, disa media serbe kanë shpërndarë në rrjetet online një video në të cilën dëgjohen të shtëna armësh”.

Sipas raportimeve bëhet fjalë për ‘përleshje’ të ndodhura mbrëmjen e së dielës. Forcat e Armatosura të Kosovës dyshohet se kanë tentuar të heqin barrikadën e ngritur më parë nga serbët. Policia e Kosovës e ka mohuar menjëherë këtë”, ka njoftuar Spiegel në edicionin e saj online.

“Me ardhjen e rusëve, Beogradi po ndryshon me një shpejtësi të paparë”

Me situatën në Ballkan, pra në Serbi, merret edhe gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila boton një artikull për ardhjen masive të rusëve në atë vend. Autori i shkrimit, gazetari Michael Martens, vlerëson se kryeqyteti i Serbisë ka ndryshuar muajt e fundit me një shpejtësi të paprecedentë në historinë e tij të gjatë.

“Arsyeja për këtë është numri i madh i njerëzve nga Rusia që u vendosën në kryeqytetin e Serbisë pas sulmit rus në Ukrainë. Ata arritën në dy valë. Vala e parë goditi Beogradin pak pas 24 shkurtit, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës. Këta ishin kryesisht rusë opozitarë të vendosur, të cilët nuk mundën ose nuk donin të pajtoheshin me ndërgjegjen e tyre për të vazhduar të jetonin në vendin e agresorit. Të tjerët erdhën kryesisht për arsye biznesi, sepse nuk donin të humbnin aksesin në tregje dhe banka të rrjetit global. Interesat pragmatike dhe neveria morale ndaj regjimit rus shpesh kombinohen. Ata donin që kompania e tyre të vazhdonte të punonte dhe nuk donin që djali i tyre të rritej në shoqërinë fashiste që Putin krijoi në Rusi, siç shpjegohet nga një çift i suksesshëm në sektorin e IT.”

Shumica e rusëve në Beograd nuk kanë probleme financiare, por disa serbë tani i kanë ato probleme, sepse për shkak të ardhjes së një numri të madh të rusëve çmimet e qirasë janë katërfishuar, shkruan tutje gazeta.

Vala e dytë e emigracionit, siç u tha, filloi kur Putin shpalli mobilizimin më 21 shtator. “Ajo valë nuk ka përfunduar ende, përkundrazi. Numri i shtetasve rusë të regjistruar në Serbi po rritet çdo ditë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, më shumë se 140.000 qytetarë rusë e kanë regjistruar vendbanimin e tyre në Serbi, shumica prej tyre në Beograd”.

Teksti kujton, sipas Ministrisë së Brendshme në Beograd janë rreth 23 mijë ukrainas dhe rreth 5500 bjellorusë. “Sidoqoftë, ata gati 170,000 njerëz – ndërkohë, ndoshta janë më shumë – nuk janë të shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë qytetin me rreth dy milionë banorë. Ata jetojnë kryesisht në qendër dhe në pjesët më të mira të qytetit. (…) Rusishtja është bërë gjuha e dytë e Beogradit dhe rusët janë pakica më e madhe në qytet”.

Kjo valë e dytë, siç vlerësohet nga gazeta gjermane, konsiderohet më pak politike.

“Pjesë e kësaj vale janë edhe disa rusë që janë ndoshta më pak kundër Putinit dhe më shumë kundër efekteve që kanë politikat e tij mbi ta. Në çdo rast, ata nuk kanë ndërmend të humbasin jetën në fushën e betejës për Putinin”.

Nganjëherë ka armiqësi mes emigrantëve të valës së parë dhe të dytë në Beograd dhe rusët politikisht aktivë që janë pjesë e valës së parë shqetësohen nga oportunizmi i disa bashkatdhetarëve të tyre që jetojnë në Beograd, shkruan gazeta, transmeton Paparaci.

“Por oportunizmi nuk duhet të jetë gjithmonë arsyeja e frenimit të tyre. Një organizator i diasporës ruse thotë se disa rusë dhurojnë bujarisht për protestat kundër Putinit, por janë të kujdesshëm që të mos dalin publikisht sepse kanë ende të afërm ose interesa biznesi në Rusi. Kujdesi i tyre është i kuptueshëm, duke qenë se shërbimi sekret serb së fundi është drejtuar nga Aleksandar Vulin, një politikan prorus dhe ndjekës besnik i presidentit Aleksandar Vuçiq. Ata nuk duan të ekspozohen në një vend, popullsia e të cilit i ka pritur krahëhapur, por politika e të cilit lëkundet”, përfundon Martens në atë artikull.

Të ngjashme