Lajme
Gara për kreun e LDK-së, revolucion apo evolucion?!
Demokracia
22:43 | 09 Mars 2021

Share:

Të dielën LDK do të zgjedh kryetarin dhe kryesinë e re. Analistë e zyrtarë të LDK-së kanë komentuar procesin.

Për ish-kandidatin e LDK-së për deputet, Anton Berishën, më thelbësore është që të pranohet procesi nga ata që janë në garë se emri i kryetarit të ri.

“Partia është ide dhe organizim strukturor. Kjo ide duhet të ekzistojë. Çështja është që duhet të ruhet zanafilla e LDK-së”, tha Berisha, përcjell Telegrafi.

Ish-zëvendësministri Sadri Ferati thotë se roli i liderit duhet të jetë i madh por sipas tij ende LDK nuk ka ndonjë analizë pse ka ardhur te ky rezultat i keq.

“Para kryetarit duhet të shikohet se si do të jetë organizimi i partisë nga brenda. Pastaj komunikimi me degët, komunikimi me qytetarët. Edhe komunikimi me diasporën duhet të jetë prioritet pasi kohët e fundit kemi pasur një shkëputje të komunikimit me diasporën”.

Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Dardan Gashi thotë se Lumir Abdixhiku nuk përfaqëson asgjë nga LDK.

“Karriera e tij në LDK ka katër apo pesë vite”, ka thënë Gashi duke shtuar se sipas tij LDK duhet të kalojë në një fazë tranzitore dhe nuk ka nevojë për rithemelim të saj.

Për Arton Demhasajn, LDK liderin e ri duhet ta konceptojë në raport me gabimet e së kaluarës.

Ai thotë se reforma në LDK nuk mund të shihet vetëm me ndryshimin e liderit.

“LDK duhet të bëjë reforma edhe në struktura. LDK ka humbur në të gjitha bastionet e mëdha si Istog apo Fushë Kosovë…LDK duhet të përshtatet me rrethanat aktuale. Rrethanat aktuale janë që duhet të përshtatesh me votuesin e rrjeteve sociale. Momentalisht Lumir Abdixhiku ka përkrahje më të madhe të elektoratit të partisë”, deklaroi Demhasaj për RTV Dukagjinin.

Për Vehbi Kajtazin Lumir Abdixhiku është zgjidhje më e mirë për LDK-në në raport me dy kandidaturat tjera.

Ai thotë se Lutfi Haziri është figurë e konsumuar, derisa për Anton Qunin thotë se do të ishte i përshtatshëm vetëm në raport me PDK-në.

“I çmoj secilin nga këta kandidatë që kanë dhënë kontribut për vendin. Në këtë kohë Abdixhiku është kandidatura më e mirë për kryetar të LDK-së”, tha Vehbi Kajtazi.

Lexo edhe: 

Tre kandidatë ia mësynë Kryetarit të LDK-së, a e ndryshuan statutin?

Të ngjashme