Lajme
Fushata linçuese ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë – “për shkak të linçit publik disa do dezertojnë”
Demokracia
11:35 | 27 Korrik 2023

Share:

Fushata linçuese dhe kërcënimet ndaj 45 policëve të rinj serbë në rrjetet sociale, e cila u dënua edhe nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani e diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë, sipas analistit serb nga Veriu i Kosovës, Branislav Krstiq, është një fushatë me “natyrë kalimtare”.

“Fyerjet verbale nuk janë kërcënime. Është e qartë se policët e rinj i njohin personat që i kërcënojnë, por deri më tani nuk kanë bërë kallëzim ndaj atyre personave”, tha ai për Albanian Post.

Krstiç beson se as Lista Serbe e Beogradi nuk provuan t’i pengonin të rinjtë serbë që të bëhen pjesë e policisë dhe, nga informacionet që ka, “Beogradi nuk ka bërë presion te Lista Serbe”, kur i janë kërkuar udhëzime se si të veprohet në këtë situatë.

Jo kaq pa probleme e sheh situatën ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Për shkak të linçit publik, ai beson se ka rrezik të dezertojnë disa policë.

“Kjo pati ndodh edhe me disa pjesëtarë të FSK-së kur Beogradi u kishte bërë presion që ata mos t’i bashkohen ushtrisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur edhe kur policët në Veri kanë dhënë dorëheqje kolektive. Rrezikohen familjet e tyre, sepse kur shkojnë Serbi mund t’i arrestojnë, i malltretojnë i marrin në pyetje. Kemi parë edhe në të kaluarën kur kanë djeg shtëpitë dhe veturat e tyre”, theksoi Kastrati për AP.

Prandaj Kastrati kërkon reagim më të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare.

“BE-ja dhe ShBA-ja duhet të jetë shumë më të ashpër në drejtim të presidentit Vuçiç edhe Serbisë, se sa të dënojnë akte të tilla.

Edhe profesori i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, beson se disa prej policëve do dorëhiqen, derisa shton se “një pjesë e madhe e tyre do mësohen me provokimet nga Beogradi, meqë edhe kanë qenë në dijeni për rrezikun që u kanoset”.

“Ky është një lajm i mirë që këta policë do jenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe do të plotësojnë boshllëkun e krijuar pas largimit të policëve”.

Policët e rinj janë pjesë e gjeneratës së 58-të të cilët diplomuan më 14 korrik

Që nga nëntori i vitit 2022, mbi 550 pjesëtarë të policisë në Veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat nga targat serbe me targa të Kosovës.

Konkursi për të pranuar policë të rinj në këtë pjesë ishte hapur në janar, pastaj ishte shtyrë deri më 10 shkurt, për shkak të mos-aplikimit nga të rinjtë.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kishte nisur edhe një fushatë “për rëndësinë e konkursit”, e cila u mbështet nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare dhe të ambasadave.

Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia dhe në këmbim u dha disa kontrata, në bazë të të cilave, përveç pagës, u rregulluan edhe çështje të tjera, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

Të ngjashme