Lajme
FSSHK-ja thotë është duke u rrezikuar shëndeti i popullatës nëpër tubime elektorale, paralajmëron padi ndaj partive politike nëse rriten rastet me COVID-19
Demokracia
14:36 | 09 Shkurt 2021

Share:

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se është duke përcjellë tubimet publike të partive politike garuese në zgjedhjet e parakohshme, të cilat nuk po u përmbahen masave të përcaktuara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.

Sipas tyre, partitë politike janë duke rrezikuar në masë të madhe shëndetin e popullatës në përgjithësi dhe të punëtorëve shëndetësorë në veçanti, “sepse studimet e fundit në Britaninë e Madhe kanë treguar se punëtorët shëndetësorë janë 4 deri në 5 herë më të ekspozuar (rrezikuar) ndaj infektimit se pjesa tjetër e popullsisë”.

“Në situatë me pandeminë COVID-19 patriotizëm, atdhedashuri dhe përkushtim për vendin tregojnë të gjithë ata që respektojnë masat, vendosin maskat, respektojnë distancën sociale e këtë gjë nuk po e shohim tek partitë politike pa përjashtim”, thonë ata përmes një reagimi.

“Andaj, FSSHK-ja, e shqetësuar tej mase me sjelljet e figurave politike, sikurse nuk ekziston virusi, sikurse jemi në situatë normale, paralajmëron të gjitha partitë politike që përgjegjësia në rast të rritjes së numrit të infektuarve me COVID-19 bie mbi ta dhe për këtë do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore deri në parashtrim të padisë për rrezikim të shëndetit të përgjithshëm të popullatës e në veçanti të punëtorëve shëndetësorë”, thuhet më tutje në reagimin e FSSHK-së.

“Më mirë një jetë e shpëtuar sesa një votë më shumë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme