Lajme
Franca konfirmon se më 23 qershor diskutohet heqja e vizave për Kosovën
Demokracia
13:08 | 16 Qershor 2022

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës u është përgjigjur pyetjeve lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke konfirmuar se një çështje e tillë do të trajtohet në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.

MPJ franceze në një përgjigje që e ka publikuar në faqen zyrtare të saj, ka thënë se takimi i 23 qershorit do të jetë mundësi për të diskutuar tema të rëndësishme, përcjell Demokracia.com.

“Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, kosovarët nuk kanë qasje në vizën Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse eshte ajo? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?”, ka qenë pyetja drejtuar MPJ-së franceze.

“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane, ndër temat e tjera”, thuhet në këtë përgjigje.

Mes tjerash, Franca ka thënë sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, kushtet në lidhje me këtë duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë.

“Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”, shkruan mes tjerash, përcjell Demokracia.com.

Katër vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Ndryshe, Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011, megjithatë siç ka mësuar Demokracia.com nëse i hapen negociatat Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjasat janë shumë të mira që të hiqet regjimi i vizave edhe për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit./Demokracia.com/

 

Të ngjashme