Lajme
FOTO | Të privilegjuarat e Gërvallës dhe Ismës në MPJD shkojnë në Katar për një punë që mund të kryhej me videolidhje
Demokracia
16:39 | 07 Janar 2024

Share:

Angazhimin e një asistenteje administrative në Ambasadën e Kosovës në Doha të Katarit, Ministrja e Punëve të Jashtme ia ka besuar Dardane Çitakut, gruas së zyrtarit më të dëgjuar të saj, të cilët javë më parë që të dy u emëruan në dy misione konsullore në Gjermani.

Çitaku bashkë me ish-asistenten e sekretarit Behar Isma, Doruntina Xhemajli, së fundmi ishin në një vizitë zyrtare, të cilën duken se e shndërruan në turistike.

Dy zyrtaret që shkuan për ta intervistuar një kandidate, punë që shumë thjeshtë e pa shpenzime mund të bëhej me videolidhje online, kanë postuar në Instagram edhe fotografi nga vende të bukura të Dohas.

Demokracia.com ka pyetur edhe zyrtarisht ministrinë e Gërvallës lidhur me arsyen e shkuarjes së këtyre dy zyrtareve në Doha, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, me një vendim të datës 17 nëntor 2023, bashkëshortja e Hamdi Bërbatovcit, Dardanë Çitaku, me gradën zëvendëskonsulle është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme në Frankfurt.

“Znj. Dardanë Çitaku, me gradën konsullore zëvendëskonsulle, caktohet të shërbejë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë, me mandat katërvjeçar. Znj. Çitaku fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të saj në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë, nga data 01/12/2023”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministrja Gërvalla, përcjell Demokracia.com.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz, ka nxjerrë dy vendime për Hamdi Bërbatovcin dhe bashkëshorten e tij Dardanë Çitaku, për emërim në misione të ndryshme konsullore në Gjermani, por jo shumë larg njëra-tjetrës. Çifti njihet për dëgjueshmëri të madhe ndaj Gërvallës në MPJD. /Demokracia.com/

Të ngjashme