Lajme
FOTO| Raporti i “Freedom House” i njëjtë me atë të vitit 2021, mbi një vjet në paraburgim dhe ende e përsërisin paragrafin për Thaçin
Demokracia
18:10 | 20 Prill 2022

Share:

Organizata “Freedom House” sot ka publikuar raportin e radhës, ku Kosova sërish radhitet në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Përveç këtij cilësimi, hartuesit e këtij raporti siç duket nuk janë lodhur ta ndryshojnë shumë nga ai i vitit 2021, pasi që të dy janë shumë të ngjashëm.

Sipas raportit të “Freedom House” për vitin 2022, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.

Demokracia.com ka krahasuar raportin e vitit 2022 me atë të vitit të 2021 dhe në të dy vërehet një ngjashmëri shumë e madhe.

“Kosova mban zgjedhje të besueshme dhe relativisht të administruara mirë, por institucionet e saj mbeten të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj Qeverisë. Gazetarët përballen me presione serioze dhe rrezikojnë të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre. Sundimi i ligjit pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit në gjyqësor”, ky është paragrafi i parë i raportit për vitin 2021 dhe i atij për vitin 2022, të publikuar nga “Freedom House”.

Sulmet ndaj mediave kanë qenë të shumta dhe më të shprehura gjatë këtij viti, megjithatë kjo organizatë siç duket nuk ka dashur ta theksojë një gjë të tillë.

Demokracia.com në krahasimin e këtyre raporteve ka vërejtur ngjashmëri pothuajse në secilën pikë.

Ani pse janë bërë një vit e gjysmë prej kur ish-presidenti Hashim Thaçi mbahet në paraburgim në Hagë dhe nuk ka qenë i pranishëm në skenën politike, kjo organizatë sërish është marrë me të duke e përshkruar në mënyrë tendecioze.

Siç ka vërejtur Demokracia.com, kjo pikë e raportit të Freedom House për vitin 2022 është e njëjtë me atë të vitit 2021 dhe nuk është ndryshuar as edhe një pjesë.

Raportet që flasin për dy vite, pra për dy periudha të ndryshme kohore, janë tepër të ngjashme dhe nuk janë bërë pothuajse fare ndryshime në përshkrime, ani pse shumë procese e zhvillime kanë ndodhur përgjatë këtij viti.

 

Këtu mund t’i gjeni raportet e vitit 2021 dhe 2022.

Demokracia.com më herët ka raportuar se në përpilimin e raporteve të kësaj organizate merr pjesë direkt një grup i njerëzve të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje, në të kaluarën në shkrimin e tyre kontribuonte edhe zëdhënësi aktual i Kurtit, Përparim Kryeziu.

Përshkrimi në të kaluarën ishte bërë nga Group for Legal and Political Studies (GLPS), organizatë kjo e themeluar nga Fisnik Korenica, balldëska e të cilit është zëvendësministre në Qeverinë Kurti dhe nga Dren Doli, i cili është emëruar së fundmi ambasador në Holandë. /Demokracia.com/

Freedom House publikon “përshkrime” të grupeve të afërta me LVV-në, zëdhënësi i Kurtit i shkruante më herët

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024