Lajme
FOL: Procesi i intervistmit për bordin e RTK i padrejtë, kandidati që fyu mediat mori me së shumti pikë
Demokracia
21:45 | 01 Nëntor 2023

Share:

Lëvizja FOL është deklaruar pas intervistimit të kandidatëve për Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

“FOL” e ka quajtur këtë proces si “jo transparent”, “jo meritor” dhe “pa integritet”

“Lëvizja FOL sot ka monitoruar fazën e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ku 13 kandidatë u intervistuan nga komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Komisioni Ad-Hoc i Kuvendit të Kosovës përbëhej nga deputetët: Agim Veliu, Fitim Haziri, Fidan Jillta, Nijazi Isaku, Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Isak Shabani, Armend Zemaj dhe Time Kadriaj. Ndërsa, deputeti Mërgim Lushtaku mungoi. Kandidatët të cilët iu nënshtruan intervistës ishin: Donika Xhokli, Shukrije Rama, Ilir Bytyqi, Besa Maxhuni, Shpresa Jashari, Besnik Boletini, Naile Demiri, Driton Shaipi, Afrim Gashi, Albinot Maloku, Arta Berisha, Faton Shatmani, Mehmet Kalisi”, thuhet në njoftim.

Lëvizja FOL ka konsideruar që “procesi i intervistimit ka qenë i padrejtë, jotransparent dhe shkelje flagrante  i parimit të meritokracisë”.

”FOL vlerëson se procesi i vlerësimit të kandidatëve  nuk kishte trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve gjatë intervistimit. Kandidatëtve nuk u janë bërë pyetjet e njëjta gjatë intervistimit, gjë që do të lejonte vlerësim objektiv të të gjithë kandidatëve. Anëtarët aktualë të bordit të RTK-së u janë bërë nënpyetje shtesë, të cilat pyetje sipas vlerësimit tonë ishin pyetje tendencioze. Tutje, kohëzgjatja e intervistave prej 15 minutave për një kandidat ishte e pamjaftueshme duke marrë parasysh peshën dhe kompleksivitetin e pozitës së të qenurit anëtar i bordit të RTK. Po ashtu pikët për kandidatë u dhanë në përfundim të të gjitha intervistave dhe jo pas çdo interviste, siç është praktika në Kuvendin e Kosovës.

Ajo që është tejet shqetësuese dhe indikator i fuqishëm i mosrespektimit të parimit të meritokracisë është diskrepanca në poentimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit për të njëjtin kandidat. Për shembull, dy kandidatë kanë marrë nga 4 pika në total nga deputetët Agim Veliu dhe Armend Zemaj dhe nga 100 pikë nga deputetët tjerë. Veliu dhe Zemaj nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë”.

“FOL ka monitoruar edhe procesin e kaluar të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij bordi ku gjithashtu kandidati me më së shumti pikë ishte Mehmet Kalisi, përkundër faktit se i njëjti, në të kaluarën ka përdorur gjuhë fyese ndaj mediave dhe i cili gjatë intervistimit kishte përmendur si ide krijimin e një agjencie shtetërore të lajmeve në kuadër të RTK-së”.

”Lëvizja FOL vlerëson se mënyra e poentimit të kandidatëve nuk ka siguruar parimet e vlerësimit objektiv dhe të barabartë. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që këto propozime të kandidatëve ti trajtoj me seriozitet të lartë dhe me mundësinë e ripërsëritjes së konkursit, në mënyrë që të respektohen parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës”, thuhet në njoftm. /Gazeta Express

Të ngjashme