Lajme
Flasin analistët: Zyrtarët amerikanë erdhën që t’ua tërheqin vërejtjen krerëve të shtetit
Demokracia
21:59 | 25 Prill 2022

Share:

Në Kosovë për vizitë zyrtare po qëndrojnë Ndihmës-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried së bashku me Zëvendësndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, të cilët gjatë ditës së sotme zhvilluan takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ardhjen e zyrtarëve amerikanë në këtë kohë kur Rusia po vazhdon luftën e saj në Ukrainë, analistët po e shohin si tejet të nevojshme.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike dhe ndërkombëtare, ardhja në Kosovë e Ndihmës-sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe Zëvendësndihmës Sekretarit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, ka të bëjë kryekëput me çështjen e dialogut dhe për ta siguruar investimin e tyre në demokracinë e vendit.

Artan Muhaxheri, njohës i zhvillimeve politik, ka thënë për Demorkacia.com se kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme, por edhe presion ndaj autoriteteve kosovare rreth dialogut me Serbinë.

“Vizita e përfaqësuesve të shtetit amerikan është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse e dëshmon vazhdimësinë e interesit amerikan për Kosovën dhe rajonin. Edhe gjithsesi duhet që të shfrytëzohet maksimalisht nga ana e lidershipit kosovar për ta fuqizuar aleancën mes Kosovës dhe Amerikës, duke i qartësuar edhe disa dilema të cilat ekzistojnë, kryesisht për çështjen e dialogut. Është absolutisht e sigurt që do të ketë presion diplomatik ndaj Kosovës, që ta dinamizojë prezencën në procesin e dialogut, sepse aktualisht është bllokuar edhe kjo situatë nuk i konvenon askujt, pra as Kosovës, as Serbisë dhe as bashkësisë ndërkombëtare. Kështu që, ideja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që të rifillojë një dialog kualitativ dhe të arrihen marrëveshje konkrete. U pa me çështjen e targave, u pa sa e ndërlikuar është situata aktuale, pasi as pas 6 muajsh diskutime nuk u arrit një marrëveshje, e cila do të duhej të ishte teknike. Kjo tregon se sa vështirë do të jetë që të arrihen marrëveshjet politike, ekonomike dhe të tjera”, theksoi Muhaxheri për Demokracia.com.

Në anën tjetër, profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, ka thënë se kjo vizitë e zyrtarëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor është si shkak i zhvillimeve në Ukrainë.

Ai për Demokracia.com ka theksuar se amerikanët dëshirojnë të sigurohen për investimet e tyre në demokraci, veçanërisht në Kosovë.

Mazreku ka pohuar se kjo vizitë është më shumë tërheqje e vërejtjes për liderët shtetërorë.

“Pas 22-23 vite liri që kemi ne, tash amerikanët nuk janë të interesuar që ky zhvillim që ka ndodhur në Kosovë e që është edhe në Ballkan, me e leju me eskalu drejt një të panjohure. Prandaj, vizitat e tyre, unë i shoh në funksion të tërheqjes së vëmendjes së liderëve tanë institucionalë për fragjilitetin e situatës, përkatësisht gjendjes në të cilën gjendet Evropa, sidomos Evropa Lindore dhe Qendrore, në këtë rast edhe Ballkani Perëndimor dhe Kosova. Prandaj, vizitat e tilla i shoh në funksion të kësaj, në funksion të ruajtjes së investimeve në sistemet demokratike, përkatësisht në ruajtjen e investimeve të cilat kanë rezultuar në të arriturat aktuale që i ka Kosova. Nuk i shoh si çështje specifike që ushtrohet ndonjë trysni specifike, sa i përket një teme, çfarë është në këtë rast dialogu Prishtinë-Beograd, por në funksion të forcimit të demokracisë, në funksion të forcimit të institucioneve të Kosovës, në funksion të tërheqjes së vëmendjes së liderëve institucionalë që të konsistojnë në funksion të këtyre zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur në Kosovë deri më tani dhe që të ruhet kjo gjendje. Njëkohësisht të avancohet kjo gjendje të cilën e kemi na dhe të preventohet çfarëdo skenari që mund t’i dëmtojë këto të arritura”, ka thënë Mazreku për Demokracia.com.

LEXO EDHE: 

Kurti i shmanget dialogut me Serbinë, por Donfried ia “përplas në fytyrë” urgjencën e tij

Se vizita e zyrtarëve amerikanë në Kosovë kishte më shumë për qëllim të ushtrojë presion për dialogun me Serbinë, u pa edhe në deklaratat që i dha Ndihmës-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, pas takimeve të ndara që kishte me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, e cila theksoi se rifillimi i dialogut me Serbinë është nevojë urgjente. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Donfried pas takimit me Osmanin: I nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

Të ngjashme