Lajme
Flamujt e Kosovës në gjysmë-shtizë, Konjufca e Haxhiu te flamujt zgjedhor në Maqedoni të Veriut
Demokracia
22:17 | 17 Prill 2024

Share:

Flamujt në Kosovë janë në gjysmë-shtizë; por udhëheqësit e saj janë prezentë në një një shtet tjetër ku po valëviten flamuj zgjedhor.

Kosova është në ditë zie të shpallur dje për sot nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ku dy gra u vranë brenda katër ditësh ndërsa udhëheqësit e saj kanë ndarë kohë që të jenë prezentë në Maqedoni të Veriut duke përkrahur një krah politik shqiptar kundrejt një tjetri shqiptar në një shtet të huaj e fqinj. Jo në vend të vetin në një kohë skajshmërisht të ndijshme të cilësuar si femicid, por në një vend tjetër duke marrë pjesë në tubime elektorale.

Përtej çfarëdo sensi të shëndosh shtetëror dhe marrëdhënieje miqësore me një shtet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka gjetur kohë të shkojë në një ngjarje me banerë pas shpinës së saj të llogove partiake “VLEN”; të një koalicioni që kanë zgjedhur ta mbështesin si Lëvizje Vetëvendosje duke dhënë edhe kandidatë si pjesë të tyre.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kësaj ‘ikje nga vendi’ të Haxhiut, për çka shkroi se “ende pa u varrosë Gjyljeta, Ministrja paska ikë në fushatë në Maqedoni”.

“Sa keq, sa gjynah!”, tha Çitaku.

Edhe Blerta Deliu nga PDK reagoi menjëherë duke shkruar “Albulena Haxhiu, paska harruar detyrën e saj parësore për t’u marrë me krijimin dhe menaxhimin e task-forcës në mbrojtje dhe mbështetje të grave – e paska shku në Maqedoni të Veriut në një konferencë, e cila më shumë duket si tubim elektoral”, shkruan Nacionale.

Kaq mjafton për të kuptuar se me sa seriozitet dhe përgjegjësi kjo Ministre e kryen detyrën e saj. Kaq mjafton për të parë se sa i intereson kësaj ministreje siguria e grave në vendin tonë”.

Njëjtë si ajo thuajse veproi edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili shkoi “të pijë kafe” me një nga kandidatët shqiptarë atje, Izet Mexhinin, për çka ky i fundit s’përtoi ta shesë si takim në mbështetje të tij në Facebook.

Sot kafen e pimë me një mik të veçantë, me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufcën, në Çarshinë bujare të Shkupit. Shëtitje e bisedë plot optimizëm, me Glaukun që frymëzon vrull, për shumë fitore të reja!”, njoftoi menjlherë Mexhiti; i cili krejt fushatën e tij e ka të ndërtuar në një stil polarizues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi nga PDK e ka quajtur “mashtrim dhe hipokrizi”.

Mashtrues e hipokrit! Shpallin “Ditë Zie” në Kosovë dhe shkojnë në fushatë elektorale në Maqedonin e Veriut! Mjedisi i sigurtë ku gratë mund të jetojnë të lira nga kërcënimi i vrasjes, dhunës dhe diskriminimit bëhet vetëm kur kabineti qeveritar dhe organet e drejtësisë i kryejnë obligimet kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e jetës së grave”, ka shkruar ajo.

Askush prej tyre deri më tani nuk morën përgjegjësinë kër këtë dështim. Të paktën llogaridhënie përmes dorëheqjes morale. Në vend të kësaj, dje dhe sot, pamë dhe dëgjuam fjalime për punën e tyre të dobët në luftën kundër dhunës dhe vrasjes së grave. Në ndërkohë, askush prej institucioneve nuk po flet se çka të bëjmë tash e tutje. Vetëm dorëheqja mund t’i shpetoj nga turpi!”, ka shkruar mes tjerash ajo.

Të ngjashme