Filmi “Barbie” u dha premierë në Japoni të premten, pak ditë pasi memet e “Barbenheimer” (një term që i referohet filmave “Barbie” dhe “Oppenheimer”) që lidhin filmin me temë kukullash me bombën atomike shkaktuan bujë dhe bënë që distributori Warner Bros të kërkonte falje përpara publikimit.
“Bota rozë e Barbiet ishte absolutisht e bukur”, tha Misaki Suzuki, 29-vjeçare, punonjëse e sallonit të thonjve, pasi pa filmin në një kinema në Tokio, shkruan Reuters.
“Barbie” ka kaluar shifrën e një miliard dollarëve fitime në arkat botërore që nga debutimi i tij më 21 korrik, duke e bërë skenaristen dhe regjisoren Greta Gerwig regjisoren e parë femër që e kapërceu këtë standard si regjisore solo. Suksesi i filmit komedi/fantazi u rrit më tej nga bashkimi me “Oppenheimer”, filmi biografik që tregon krijimin e bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por kombinimi “Barbenheimer” shkaktoi një reagim të ashpër në Japoni, pasi kombi në fillim të këtij muaji shënoi përkujtimin e bombardimeve atomike të ShBA-së në Hiroshima dhe Nagasaki 78 vjet më parë.
Në postimet e fshira tani në platformën X, e njohur më parë si Twitter, llogaria e marketingut për filmin “Barbie” e kompanisë Warner Bros kishte rishpërndarë memet e prodhuara nga fansat që përshkruanin aktoren Robbie me aktorin e “Oppenheimer”, Cillian Murphy, krahas imazheve të shpërthimeve bërthamore.
Një hashtag #NoBarbenheimer ishte në trend në Japoni në atë kohë, duke bërë që divizioni i Japonisë i kompanisë Warner të lëshonte një kritikë të rrallë publike ndaj kompanisë së saj mëmë në ShBA, e cila më pas pasoi me një kërkim falje javën e kaluar.
Mitsuki Takahata, e cila interpretoi rolin e Barbiet në versionin e dubluar japonez, tha në një postim në Instagram të 2 gushtit se ishte e tronditur kur mësoi për memet. “Ky incident është vërtet, me të vërtetë zhgënjyes”, ka postuar ajo.
“Ishte e ashpër”, tha studentja 24-vjeçare Rie Takeda, duke komentuar memet e prodhuara nga fansat e #Barbenheimer.
“Por filmi ishte rrezatues, përtej kësaj u argëtova”, tha ajo.
Asnjë datë e publikimit në Japoni nuk është shpallur për “Oppenheimer”, i cili është kritikuar për injorimin e gjerë të shkatërrimit të dy qyteteve kryesore japoneze nga bomba atomike në vitin 1945, duke shkaktuar më shumë se 200,000 vdekje. /Telegrafi/