Lajme
Figura të rëndësishme publike marrin pjesë në marshin solidarizues për ish-krerët e UÇK-së
Demokracia
20:49 | 25 Mars 2023

Share:

Deputetë, ish-deputetë, studentë, shoqata të dala nga lufta dhe figura të tjera të rëndësishme publike kanë dalë në përkrahje të “Marshojmë për Drejtësi”, marshit në solidarizim të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë. Marshi do të mbahet më 2 prill, nga ora 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përgjatë së shtunës, mbështetjen ndaj “Marshojmë për Drejtësi” e ka ofruar edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka përkujtuar se mbi 20 mijë gra në Kosovë janë viktima të dhunës nga forcat serbe dhe se ata që po gjykohen janë ish krerët e UÇK-së, shkruan Demokracia.com.

“Drejtësia – kaq shumë e kërkuar nga unë dhe mbi 20 mijë gra tjera në Kosovë, viktima të dhunës seksuale, nuk erdhi asnjëherë. Kriminelët serbë, shkaktarë të këtyre dhunimeve, akoma enden të lirë nëpër Serbi. Fatkeqësisht, sot, të vetmit të cilët po ballafaqohen me një proces gjyqësor janë çlirimtarët tanë, ish-krerët e UÇK-së”, ka thënë ish-deputetja Krasniqi Goodman.

Mbështetje dhe pjesëmarrje në “Marshojmë për Drejtësi” kanë ofruar edhe përfaqësues të fshatit Izbicë, ku forcat serbe në këtë fshat kishin masakruar mbi 147 civilë brenda një dite.

Edhe përfaqësuesit studentorë nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup të Maqedonisë së Veriut dhe ata në Mitrovicë, Gjakovë e Pejë kanë konfirmuar pjesëmarrjen për marshim solidarizues për ish-krerët e UÇK-së.

Marshin për drejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e kanë mbështetur edhe shoqatat e dala nga lufta, ajo e Pensionistëve të Kosovës shoqata e të burgosurve politikë dhe Gratë e Krushës.

Deputetë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe nënkryetarja e këtij subjekti politik po ashtu kanë thënë se do të jenë pjesë e marshit për drejtësi.

KMDLNJ ka njoftuar për mbështetje të marshit, duke ripotencuar “shkeljet e shumta që iu janë bërë dhe po iu bëhen udhëheqësve ushtarakë dhe institucionalë”.

“KMDLNj shumë herë ka reaguar kundër shkeljeve të shumta që iu janë bërë dhe po iu bëhen udhëheqësve ushtarakë dhe institucionalë gjykimi i të cilëve është paraparë të nisë më 3 prill 2023 dhe i konsideron të pafajshëm duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë i cili në mënyrë brutale është shkelur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara në shumë raste. Në këtë kontekst KMDLNj ka përkrahur dhe do ta përkrahë çdo protestë, demonstratë apo manifestim që respektojnë rregullat demokratike në mbrojtje të të drejtave dhe drejtësisë të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, si në diasporë ashtu edhe brenda vendit”, u tha në njoftimin e KMDLNJ-së.

Po ashtu, kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të dalin në marshin e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Krenaria e Kosovës janë brenda telave.. Duhet të gjithë Kosova që quhet të thotë që krenaria e Kosovës gjendet në Hagë dhe bashkësia ndërkombëtare është duke bërë një gabim të madh kur janë të vrarë mijëra fëmijë dhe shumë gra të dhunuara dhe shumë të zhdukur dhe askush nuk merr përgjegjësi…Është mëkat i madh…në vend që ata kriminelë të futen brenda në burg, ata shëtitin nëpër qytetet kryesore të ish-Jugosllavisë, askush nuk interesohet për t’i paditë ata”, ka thënë Qerkini.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka mbështetur marshin, duke shtuar “Liria ka një emër: UÇK!”.

Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, ka thënë se në emër të subjektit të tij politik “mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë”.

Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, nga ora 14:00 organizon Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë. /Demokracia.com/

Të ngjashme