Sport
“Faza më e mirë e grupeve në historinë e Kupës së Botës”- Kreu i FIFA-s vlerëson cilësinë, pasigurinë dhe ndeshjet në Katar
Demokracia
18:43 | 07 Dhjetor 2022

Share:

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha sot se faza e grupeve në Katar ishte “më e mira në histori” e Kupës së Botës.

Infantino deklaroi për faqen zyrtare të FIFA-s se dështimet e kombëtareve të mëdha dhe numri i përzgjedhjeve që po përparojnë tregojnë se futbolli po bëhet global, transmeton Demokracia.com.

“Unë i ndoqa të gjitha ndeshjet, me të vërtetë, dhe për ta thënë shumë thjeshtë dhe shumë qartë, kjo ishte faza më e mirë e grupeve e Kupës së Botës FIFA ndonjëherë. Prandaj është shumë premtuese për vazhdimin e turnout”, tha presidenti i FIFA-s.

“Ndeshjet ishin të një cilësie të shkëlqyer, të shkëlqyer në stadiume të bukura – këtë e dinim tashmë. Megjithatë, tifozët që ndoqën ndeshjet ishin gjithashtu të mahnitshëm. Mbi 51,000 mesatarisht”.

Ai theksoi se ndeshjet e fazës së grupeve të Kupës së Botës u ndoqën nga më shumë se dy miliardë shikues në mbarë botën.

“Atmosferë fantastike, gola të mrekullueshëm, emocione të pabesueshme, surpriza, skuadra të vogla që mposhtin skuadrat e mëdha. Tani nuk ka më skuadra të vogla dhe të mëdha. Niveli është shumë, shumë i barabartë. Dhe për herë të parë kombëtaret nga të gjitha kontinentet ishin në fazën eliminatore, për herë të parë në histori. Kjo tregon se futbolli po bëhet vërtet global”, tha Infantino.

Botërori 2026 do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë dhe në këtë Botëror do të marrin pjesë 48 kombëtare.

Infantino theksoi se ishte i kënaqur me numrin e tifozëve në stadiumet dhe zonat e tifozëve në Katar.

“Shpresoj që Kupa e Botës në Katar të përfundojë siç filloi – me një sukses fantastik. Besoj se ky Botëror do të arrijë një shikueshmëri prej pesë miliardë njerëz në mbarë botën. Stadiumet janë të shitura dhe të mbushura me kapacitet çdo ndeshje. Në fund, ne thjesht duam t’u sjellim pak gëzim dhe buzëqeshje njerëzve në mbarë botën. Kështu është futbolli, kështu është Botërori”, përfundoi Infantino./Demokracia.com/

Të ngjashme