Lajme
Euro i gjunjëzohet sezonit turistik, zbret në rekordin historik
Demokracia
15:46 | 04 Korrik 2023

Share:

Euro ka thelluar rënien në këtë javë të parë të korrikut, duke prekur tanimë një minimum të ri historik kundrejt lekut. Flukset e turizmit e kanë zhvlerësuar vazhdimisht gjatë kësaj jave valutën europiane, që brenda një dite është zhvlerësuar me plot 86 pikë kundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet për 104.85 lekë, duke thyer edhe rekordin e vendosur më 9 qershor prej 105.6 lekësh.

Data 6 korrik do të shihet si vendimtare për të përcaktuar se sa poshtë do të zbresë kjo monedhë, teksa Banka qendrore planifikon një operacion ditën e enjte për të blerë 5 deri në 9 milionë euro valutë nga tregu.

Forcimi i lekut është ndjerë edhe te valutat e tjera, ku dollari zbriti në kuotën e 96.18 lekëve, paundi britanik në 122.17 lekë dhe franga zvicerane në 107.49 lekë.

Luhatjet, krahas eksportuesve, po ndihen në këtë moment edhe nga industria e hotelerisë dhe dhomave me qira ditore, që operon me çmime kryesisht në euro. Një pjesë e madhe e kësaj industrie tanimë po i drejtohen çmimeve në lek, për t’u mbrojtur nga zhvlerësime të tjera të mundshme./a2cnn/

Të ngjashme