Lajme
Estonia mbështet rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s
Demokracia
13:01 | 06 Shkurt 2024

Share:

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, pas takimit që zhvilloi të hënën në kryeqytetin estonzez me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Estonia mbështet plotësisht rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, përkatësisht anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik në Bashkimin Evropian (BE) dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

“Estonia mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndajmë përvojën tonë të reformave. Dialogu dhe integrimet evropiane do të ndihmojnë në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shkroi kryeministrja estoneze në platformën “X” pas takimit me kreun e legjislativit kosovar.

Ndyrshe, emri i Kallas për pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit spanjoll, Josep Borrell, përmendet në korridoret diplomatike, kryesisht për shkak të një faktori të rëndësishëm: në dritën e luftës në Ukrainë, shumë mendojnë se kjo pozitë kryesore duhet t’i besohet evropiano-lindorëve.

Rikonfigurimi në udhëheqjen e institucioneve të BE-së pas ciklit zgjedhor në qershor të këtij viti e veçanërisht, emërimi potencial i kryeministres së Estonisë  në krye të diplomacisë evropiane, u konsiderua të jetë lajm shumë pozitiv për Kosovën në kontekstin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

Të ngjashme