Lajme
“Është projekt shekullor serb për Botën Serbe” | Bislimi del kundër Zajednicës të cilën e ka pranuar shefi i tij në Marrëveshjen e Ohrit
Demokracia
16:24 | 08 Qershor 2023

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, krejtësisht befasisht, ka dalur me qëndrim që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është në fakt “politikë qendrore e Serbisë” për ta destabilizuar Kosovën dhe bashkuar kombin serb nën idenë shekullore të Serbisë për “Botën Serbe”.

“Kosova vazhdimisht i ka tërhequr vërejtjen komuniteti ndërkombëtar rreth qëllimeve të vërteta të Serbisë për insistimin e formimit të Asociacionit. Asociacioni asnjëherë nuk ka qenë qëllim për integrimin e serbëve lokalë në Kosovë, por si Kali i Trojës për ta bërë Kosovën jo funksionale, dhe kështu ta përgatis rrugën për ndarjen e asaj pjese”, ka shkruar ai në Twitter.

Sipas Bislimit, dokumenti i hartuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, “ofron dëshminë më të fortë”, deri më tani, për synimin e vërtetë pas insistimit të Serbisë për Asociacionin në Kosovë.

“Themelimi i Asociacionit nuk është një objektiv në vetvete, por përkundrazi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëllimit kryesor të një “bote serbe” (“Srpski svet”) që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë”, shtoi ai.

Për Bislimin, dizajni fillestar i Asociacionit është i parëndësishëm, pasi kompetencat e tij do të evoluojnë dhe do të shfrytëzohen për shkak të mbështetjes financiare të Beogradit dhe mungesës relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës.

“Këto kompetenca do të çojnë përfundimisht në një Republika Srpska të re me qëllimin e ndarjes territoriale në mes të trevave shqiptare dhe serbe. Kjo pastaj do ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të njohë ekzistencën e dy entiteteve kombëtare në Kosovë dhe autonominë absolute në zonat e Asociacionit”.

Ai ka shtuar se “kjo autonomi” do të bëjë që serbët të kenë zero nevojë për të ndërvepruar me Qeverinë e Kosovës, duke e bërë kështu Asociacionin një “vezë qyqeje” në territorin e Kosovës.

“Serbia beson se avantazhi kryesor krahasues që ka aktualisht dhe duhet të shfrytëzojë është epërsia ekonomike në rajon”.

Prandaj sipas Bilsimit, “në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar i “Srpski svet” nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike.

“Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizmat fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe”.

“Në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar i “Srpski svet” nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike. Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizmat fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe”.

Bislimi ka shtuar se themelimi i Asociacionit duhet të jetë imperativi kryesor për politikëbërësit serbë, duke ofruar një bërthamë për qëllimin shekullor “të bashkimit të serbëve”.

“Dokumenti shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për Asociacionin, por duhet ta bëjë komunitetin ndërkombëtar të rishqyrtojë të tijën”.

Të ngjashme