Lajme
Escobar për Asociacionin: Është detyrim ndërkombëtar nga i cili një politikan dhe parti e vetme nuk mund të largohet
Demokracia
18:30 | 13 Dhjetor 2022

Share:

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar, ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në, që e ka ndërmjetësuar negocimin e tij.

Sipas tij, krijimi i asociacionit është detyrim ndërkombëtar nga i cili një politikan dhe parti e vetme nuk mund të largohet, shkruan Demokracia.com.

“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës. Është obligim për Serbinë. Është obligim për Kosovën. Është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike, nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Escobar, kjo është një mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se kjo çështje duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe që nuk duhet diskutuar para marrëveshjes finale.

Mirëpo, sipas Escobar, Asociacioni ekziston si obligim.

“Ne besojmë se të gjitha obligimet ekzistuese duhet të zbatohen sa më shpejt që është e mundur”, tha ai.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Brukselit më 19 prill 2013. Një pjesë e kësaj marrëveshje i kushtohet formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Bazuar në këtë marrëveshje, Asociacioni përfshin një strukturë të komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e veriut, Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin, Graçanicën, Shtërpcën, Novobërdën, Kllokotin, Ranillugun dhe Parteshin, e cila synon t’i integrojë serbët në tërë territorin e Kosovës./Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Kërcënimi me ushtri i Serbisë, Escobar i prerë: Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA

Të ngjashme