Lajme
Ende pa u varrosur Gjyljeta Ukella, Ministrja e Drejtësisë nuk respekton as Ditën e Zisë dhe përfshihet në fushatën elektorale në Maqedoninë e Veriut
Demokracia
19:50 | 17 Prill 2024

Share:

Edhe pse Kosova është zyrtarisht në ditë zie për shkak të vrasjes së dy grave brenda një jave, ajo që do të duhej të preokupohej më së shumti me këto vrasje dhe ta brente më së shumti ndërgjegjja si Ministre e Drejtësisë, nuk e ka respektuar as Ditën e Zisë dhe ka marrë pjesë në një tubim elektoral të VLEN në Maqedoninë e Veriut.

Është deputetja Blerta Deliu ajo që ka kritikuar ashpër këtë sjellje të ministres Albulena Haxhiu.

Deliu ka thënë se kjo sjellje e saj mjafton për të kuptuar se me sa seriozitet dhe përgjegjësi kjo ministre e kryen detyrën dhe sa i intereson siguria e grave në vendin tonë.

“24 orë pas vrasjes në Gjyljetës, katër ditë pas vrasjes së Eronës, sot kur në Kosovë është Ditë Zie, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paska harruar detyrën e saj parësore për t’u marrë me krijimin dhe menaxhimin e task-forcës në mbrojtje dhe mbështetje të grave – e paska shku në Maqedoni të Veriut në një konferencë, e cila më shumë duket si tubim elektoral. Kaq mjafton për të kuptuar se me sa seriozitet dhe përgjegjësi kjo Ministre e kryen detyrën e saj. Kaq mjafton për të parë se sa i intereson kësaj ministreje siguria e grave në vendin tonë”, ka shkruar Deliu.

Ndryshe, Gjyljeta Ukella, gruaja që u vra dje nga bashkëshorti i saj në Pejë, është varrosur sot pasdite në varrezat e qytetit të Pejës. E ndjera u vra mëngjesin e së martës brenda banesës nga burri i saj, Edmond Lajqi, me të cilin kishte tre fëmijë. /Demokracia.com/

Të ngjashme