Lajme
Ende asgjë nga kërkesa e Serbisë për seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën
Demokracia
10:55 | 25 Korrik 2023

Share:

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 6 korrik ka deklaruar në mënyrë pompoze se do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të situatës në Kosovë. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse Vuçiq do të flasë për këto probleme para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sepse kanë kaluar 18 ditë nga shpallja e thirrjes “urgjente” dhe ende nuk dihet nëse përfaqësuesit e Serbisë kanë nisur procedurën për të kërkuar thirrjen e kësaj seance.

Pak më shumë se dy javë më parë, presidenti serb deklaroi: “Republika e Serbisë do të kërkojë për herë të parë në këtë mënyrë dhe për shkak të ngjarjeve në Kosovë thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

18 ditë më vonë, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se “presidenti e ka diskutuar këtë iniciativë me përfaqësues të shumë vendeve dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s”.

“Qëllimi ynë është që ajo që po ndodh në Kosovë, të paktën në një farë mënyre, të paraqitet në nivelin më të lartë si problem i madh. Por në ditët në vijim do të dihet më shumë për këtë iniciativë”, ka thënë Daçiq, transmeton Paparaci.

Branka Llatinoviq, ish-ambasadore dhe përfaqësuese e Serbisë në OSBE, shpjegon se kur kërkohet një seancë urgjente, kërkohet në kohën më të shkurtër të mundshme, kur problemi, për të cilin kërkohet, thirrja e saj vërtetë ndodhë”.

“Mendoj se po e vështirësojmë veten në mënyrë të panevojshme, duke qenë se është paralajmëruar se seanca do të ndodhë e ajo ende nuk ka ndodhur”, ka thënë Llatinoviq.

Çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara mund të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në kohën më shpejt që të jetë e mundur, të nesërmen, seanca mund të thirret nëse kërkohet nga njëri prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, shpjegon Llatinoviq.

Presidenti i serb kohëve të fundit ka kërkuar nga ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Serbi, duke i “njoftuar për domosdoshmërinë që në një seancë të posaçme që të diskutohet për situatën aktuale në Kosovë”.

“Por nëse mbështeteni vetëm në një pjesë të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit atëherë unë nuk e shoh që perspektiva e miratimit të një deklarate të përshtatshme presidenciale apo një përfundimi të përshtatshëm për Serbinë në këtë moment të jetë aq e sigurt”, vlerëson Llatinoviq.

Përveç Rusisë dhe Kinës, anëtarë të përhershëm, të cilët kanë të drejtën e vetos, janë edhe Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të përkujtojmë, analisti serb Dushan Janjiq, kohë më parë kishte deklaruar se kërkesa e Vuçiqit për thirrje urgjente të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jetë, “qëllim jo në këmbën e vet, por në kokën e vet, gjegjësisht vetëvrasje”, duke aluduar se në atë seancë nuk do të diskutohet vetëm për veprimet e Kosovës por edhe të Serbisë.

Të ngjashme