Nexhmi Mani 53 vjeç dhe Gentian Mani 21 vjeç, babë e bir, janë arrestuar të premten në fshatin Perpellac të Podujevës nga xhandarmëria serbe.
Demokracia.com, duke u bazuar në dëshmitë e familjarëve të tyre, ka raportuar ekskluzivisht se të njëjtit janë arrestuar dhe atyre u është konfiskuar nga xhandarmëria serbe edhe një traktor me rimorkio.
Lidhur me rastin kanë shkruar edhe mediat serbe, të cilat raportojnë se Policia e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e dy personave në rajonin e Kurshumlisë, inicialet e publikuara të të cilëve konfirmojnë se bëhet fjalë për Nexhmi Manin dhe Gentian Manin.
Lidhur me rastin, Demokracia.com ka kontaktuar me Komandantin e Stacionit Policor në Podujevë, Nijazi Jashari, i cili ka deklaruar se nuk ka informacione për këtë rast.
“Kur (janë arrestuar)?. Nuk kam informacione për këtë. Nuk kam asi informate. S’jam sot në punë.”, ka thënë ai për Demokracia.com.
Po ashtu, nga Stacioni i Policisë në Podujevë kanë thënë se nuk mund të flasin për këtë çështje,
“Ne nuk mund të flasim për këtë”, kanë thënë nga Stacioni i Policisë në Podujevë.
Demokracia.com ka telefonuar edhe kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për të parë nëse është i informuar me rastin, por ai s’e ka hapur telefonin.
Ndërkaq, nga Zyra e Informimit të Policisë në Prishtinë nuk kanë kthyer ende përgjigje.
Demokracia.com ka marrë vesh se ata kanë kontaktuar familjen e tyre dhe ua kanë konfirmuar se aktualisht ndodhen në Serbi.
Rasti në polici është lajmëruar nga një familjar i tyre gjatë ditës së sotme, me të cilin ka komunikuar Demokracia.com, mirëpo i njëjti nuk ka shprehur gatishmëri të prononcohet rreth kësaj ngjarjeje./Demokracia.com/
Babë e bir arrestohen nga xhandarmëria serbe| Policia e Kosovës hesht, Bulliqi s’e hap telefonin
Konfirmohet raportimi i Demokracia.com, kosovarët e arrestuar po mbahen në paraburgim në Serbi
EKSKLUZIVE| Xhandarmëria serbe arreston dy kosovarë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi