Kuriozitete
Emigrantët bëjnë renditjen e vendeve më të mira dhe më të këqija të Evropës për vitin 2022
Demokracia
18:41 | 15 Korrik 2022

Share:

Trendi i punës në distancë nuk po shfaq shenja ngadalësimi dhe kjo do të thotë se tani është ҫasti i shkëlqyer që të provoni të jetoni në një vend tjetër.

Duke qenë se shumë vende po prezantojnë vizat e nomadëve digjitalë, po bëhet gjithashtu më e lehtë për të punuar legalisht nga jashtë vendit të origjinës.

Megjithatë, është thelbësore të zgjidhni një vend të përshtatshëm për punën në distancë dhe për stilin tuaj të jetesës. Për t’ju ndihmuar që të vendosni, InterNations ka realizuar anketën vjetore të Expat Insider mbi destinacionet e emigrantëve në mbarë botën.

Komuniteti global për njerëzit që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit anketoi 11,970 emigrantë që përfaqësojnë 177 kombësi të ndryshme dhe që jetojnë në 181 shtete.

Cilat janë vendet më të mira në Evropë për të jetuar?

Raporti i Expat Insider 2022 shqyrton 52 destinacione të emigrantëve në mbarë botën dhe i rendit ato sipas cilësisë së jetës për emigrantët.

Sondazhi i pyet emigrantët lidhur me lehtësinë për t’u përshtatur në shtetin e ri, punën jashtë vendit dhe financat personale.

Për herë të parë, renditja përfshin gjithashtu indeksin e ri Expat Essentials, i cili mbulon jetën digjitale, ҫështjet e administrimit, strehimin dhe gjuhën lokale.

Çuditërisht, vetëm dy vende evropiane hynë në dhjetëshen e parë këtë vit.

Portugalia është destinacioni më i mirë për emigrantët në Evropë

Portugalia zuri vendin e katërt në renditjen e përgjithshme për destinacionet më të mira globale për emigrantët, veçanërisht për shkak të kohës së bukur me diell dhe jetës së mirë shoqërore.

Nëntë nga dhjetë emigrantë të anketuar thanë se u pëlqen klima dhe moti në Portugali, ndërsa 89 për qind e tyre ishin të kënaqur me cilësinë e ajrit. Emigrantët pëlqejnë mundësinë për të luajtur sport, ndërsa 93 për qind e tyre thanë se është e lehtë dhe e sigurt që të lëvizësh në këmbë ose me biçikletë.

Të anketuarit thanë gjithashtu se ishte e lehtë të bësh miq vendas dhe të shijosh një jetë të këndshme shoqërore. Një emigrant nga Gjermania komentoi se “njerëzit janë miqësorë dhe të hapur”.

Megjithatë, më shumë se gjysma e emigrantëve të anketuar thanë se e kishin pasur të vështirë që të merreshin me burokracitë lokale.

Ata gjithashtu thanë se ishin të pakënaqur me tregun vendas të punës dhe me mundësitë e karrierës. Për këtë arsye, Portugalia u rendit në vendin e 35-të në indeksin e Punës Jashtë Vendit.

Megjithatë, në përgjithësi, 85 për qind e emigrantëve deklaruan se janë të lumtur me jetën e tyre në Portugali.

Spanja u ofron emigrantëve cilësinë më të mirë të jetës

Edhe pse zuri vendin e pestë në renditjen e përgjithshme, Spanja u votua si destinacioni më i mirë i emigrantëve për cilësinë e jetës.

Të anketuarit thanë se u pëlqente shumëllojshmëria e kulinarisë dhe e gatimeve, mundësitë për sporte, si dhe kultura dhe jeta e natës.

“Më pëlqen liria sociale dhe kultura në Spanjë. Ka një jetë të mrekullueshme të natës,” komentoi një emigrant nga Australia.

Spanja u rendit gjithashtu shumë mirë për klimën dhe motin, ku ia kalonte vetëm vendi fqinj, Portugalia.

Kostot e përballueshme të sistemit të kujdesit shëndetësor ishin një pikë kryesore për emigrantët – pothuajse katër nga pesë prej të anketuarve e vlerësuan pozitivisht këtë pjesë. Nga të anketuarit, 77 për qind thanë se mund të aksesojnë të gjitha llojet e shërbimeve shëndetësore që u nevojiten.

Edhe pse Spanja nuk arriti të renditej në 10 më të mirat për indeksin e Financave Personale, 70 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me kostot e jetesës, krahasuar me 45 për qind në nivel global.

Megjithatë, ashtu si dhe për Portugalinë, emigrantët shprehën pakënaqësi lidhur me mundësitë personale të karrierës dhe për pagat e padrejta.

Franca ofron kujdes të mirë shëndetësor, por ka një administratë tepër të ngadaltë

Destinacioni popullor i emigrantëve, Franca, mori një vlerësim të dobët në sondazhin e vitit 2022, duke u renditur në vendin e 31-të nga 52 destinacionet totale.

Megjithëse vendi përformoi mirë në indeksin e Cilësisë së Jetës duke u renditur i 11-ti, emigrantët shprehën probleme në lidhje me gjuhën vendase. Tre në pesë emigrantë thonë se është e vështirë të jetosh në Francë pa folur gjuhën vendase, një shifër kjo gati sa dyfishi i mesatares globale.

Franca gjithashtu u rendit në 10-shen e fundit në nënkategorinë e Ҫështjeve Administrative. “Të gjitha punët administrative janë shumë të ndërlikuara këtu. Sistemi është i vjetëruar dhe tepër i ngadaltë,” tha një emigrant lituanez.

Megjithatë, emigrantët vlerësuan sistemin shëndetësor të vendit, me 84 për qind të tyre që u shprehën të kënaqur lidhur me kostot e përballueshme të kujdesit shëndetësor, krahasuar me vetëm 61 për qind në nivel global.

“Më pëlqen aksesi në shërbime shumë të mira, si kujdesi shëndetësor, ndihma e shpejtë dhe transporti publik,” komentoi një emigrant italian.

Emigrantët në Itali përballen me pagat e ulëta dhe me burokracinë

Pavarësisht reputacionit të saj për “la dolce vita”, Italia u rendit si një ndër 10 destinacionet e fundit për emigrantët në sondazhin e InterNations.

Italia ka shpallur së fundi një vizë të re për nomadët dixhitalë, në mënyrë që ta bëjë më të lehtë punën nga ky vend. Megjithatë, ajo është renditur e 44-ta në anketë, pasi emigrantët shprehen që e kanë shumë të vështirë të merren me burokracitë lokale dhe që të hapin një llogari bankare.

Italia u rendit gjithashtu në mesin e 10 vendeve të fundit në indeksin e Punës Jashtë Vendit, ku plot 29 për qind e emigrantëve nuk ndihen se paguhen në mënyrë të drejtë për punën e tyre, krahasuar me 20 për qind në nivel global.

Gati gjysma e të anketuarve deklaruan gjithashtu se janë të pakënaqur me tregun lokal të punës.

Italia performon shumë më mirë për sa i përket indeksit të thjeshtësisë për t’u ambientuar në këtë vend, me 68 për qind të të anketuarve që thonë se e kanë të lehtë të mësohen me kulturën lokale, krahasuar me 62 për qind në nivel global.

Emigrantët vlerësojnë gjithashtu pozitivish edhe klimën dhe motin, si dhe shumëllojshmërinë e kuzhinës vendase.

Cilat vende evropiane janë më të këqijat për emigrantët?

Luksemburgu renditet gjithashtu në 10-shen e fundit, duke marrë kritika për mungesën e aktiviteteve për kohën e lirë dhe për koston e lartë të jetesës. 42 për qind e emigrantëve janë të pakënaqur me jetën e tyre sociale, krahasuar me 26 për qind në nivel global.

Malta, gjithashtu, përformoi keq pasi emigrantët e pakënaqur ankohen për infrastrukturën për makinat, mjedisin urban dhe mungesën e industrive që prodhojnë mallra ose që ofrojnë shërbime për mbrojtjen e mjedisit.

69 për qind e emigrantëve gjithashtu e patën të vështirë të hapnin një llogari bankare aty, krahasuar me 21 për qind në nivel global./Euronews

Të ngjashme
Kuriozitete • 15 Maj 2024