Lajme
Elon Musk ka përdorur droga të forta në festa private, programi hapësinor amerikan në rrezik
Demokracia
17:06 | 07 Janar 2024

Share:

Elon Musk ka përdorur drogëra, duke përfshirë LSD, kokainë, ekstazi, kërpudha dhe keratinë në festa të ndryshme private në mbarë botën, raporton The Wall Street Journal.

Sipas publikimit, Musk mori pjesë në disa festa midis viteve 2018 dhe 2021. Pjesëmarrësve u ndalohet të përdorin telefonat e tyre në festë dhe detyrohen të nënshkruajnë marrëveshje moszbulimi.

Kjo gjë, ka qenë pikërisht ajo çfarë i ka shqetësuar më së shumti drejtuesit e Tesla dhe SpaceX. Disa anëtarë të bordit kanë frikë se përdorimi i drogës nga miliarderi mund të dëmtojë kompanitë e tij.

Përdorimi i paligjshëm i drogës nga Musk do të shkelte politikat e korporatave të Space X dhe Tesla, si dhe kontratat federale.

Sipas asaj që raporton gazeta amerikane, disa anëtarë të bordit të drejtorëve të Tesla-s, ndër vite, kanë diskutuar për përdorimin e supozuar të drogës nga Musk, pavarësisht se çështja nuk ishte asnjëherë formalisht në qendër të takimeve, pikërisht për të shmangur që ajo të përfundonte në procesverbalin e bordit të administrimit.

Disa këshilltarë, duke përfshirë presidentin aktual të bordit të drejtorëve të Tesla, Robyn Denholm, do të kishin folur gjithashtu për këtë me Kimbal Musk, vëllain më të vogël të Elon, i cili është pjesë e bordit të drejtorëve të Tesla-s dhe deri në vitin 2022 ishte gjithashtu në bordin e drejtorëve të SpaceX, për të kërkuar sqarime për sjelljen e të vëllait dhe ndihmë, duke qenë gjithmonë i kujdesshëm që të mos përdorë fjalën “drogë”.

Kodi i sjelljes së Teslas dhe kontratat e SpaceX

Kodi i sjelljes së Tesla, kujton WSJ, e paraqet kompaninë si një vend pune, ku droga nuk mund të qarkullojë dhe ndalon të gjithë punonjësit, përfshirë menaxherët, nga përdorimi i tyre, madje edhe jashtë zyrës.

Përdorimi i drogës nga Musk gjithashtu do të shkelte rregullat që rregullojnë më shumë se 14 miliard dollarë në kontrata që ka SpaceX me NASA-n dhe qeverinë amerikane për misione hapësinore civile dhe ushtarake.

Kontratat federale, në të vërtetë, kërkojnë nga kompanitë që të respektojnë Aktin e Vendit të Punës pa drogë, një ligj i vitit 1988, sipas të cilit ata që fitojnë një kontratë nga qeveria federale ose të përfitojnë nga subvencionet federale duhet të garantojnë mjedise pune pa drogë si një parakusht për të marrë një kontratë ose grant nga një agjenci federale.

Shkelja e këtyre rregullave, paralajmëron Wall Street Journal, mund të hedhë në erë kontratat e SpaceX me Qeverinë amerikane, duke vënë në rrezik mbi 1 trilion dollarë aktivitet financiar nga investitorët, dhjetëra mijëra vende pune dhe mbi të gjitha, një pjesë të madhe të programit hapësinor amerikan, i cili është paracaktuar vite më parë.

Të ngjashme